TIRANË–  Partia Kristian Demokrate i ka kërkuar qeverisë që të marrë masa për dëmshpërblimin e familjeve të dëmtuara nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës dhe Lezhës.

Ajo I ka kërkuar mazhorancës qeverisëse, institucioneve që kanë dalë prej saj, Kuvendit të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave që “të angazhohen maksimalisht për të gjetur një zgjidhje përfundimtare për zonën e Shkodër – Lezhë, në mënyrë që të mos rrënohet më tej e tashmja dhe e ardhmja e banorëve të këtyre trevave”.

“Kujtojmë se ky është edhe premtimi i dhënë më 23 qershor të vitit 2013, dhe për rrjedhojë, është testi i madh para qytetarëve të këtyre dy qarqeve për besimin dhe përgjegjësinë që na kanë dhënë me votën e tyre”, thuhet në një njoftim për media të kësaj partie.

“PKD, strukturat e saj, burimet njerëzore, profesionale dhe intelektuale që i janë bashkëngjitur kësaj force politike, janë të gatshme që të investohen maksimalisht në këtë çështje, duke ofruar kontribute të gjithanshmem në mënyrë që t’i jepet një zgjidhje përfundimtare qarkullimit të burimeve ujore në ultësirën e Nën Shkodrës, mbajtjes nën kontroll të shtretërve të lumenjve të Bunës, Drinit dhe Matit, duke i dhënë fund njëherë e mirë fatkeqësive të përsëritura të banorëve të Shkodrës, Lezhës, Shëngjinit dhe Kurbinit”, vijon deklarata.

“Partia Kristian-Demokrate e Shqipërisë ndjek me shqetësim të madh gjendjen e banorëve të zonave të veriut, shkaktuar nga përmbytjet e ditëve të fundit.

Kryetari i PKD-së, z. Mark Frroku ka parë nga afër situatën dhe gjen rastin të ofrojë mbështetje personale dhe institucionale, edhe në cilësinë e deputetit të Qarkut të Shkodrës për familjet që po kalojnë momente të vështira”, vijohet më tej.
 
Qindra hektar tokë u përmbytën nga uji në qarkun e Lezhës dhe të Shkodrës disa ditë më parë.
Sipas të dhënave nga Shtabi i Emergjencave, në prefekturën e qarkut të Lezhës, katër ditë më parë, në Lezhë ndodheshin nën ujë 3300 ha tokë, ndërsa në Shkodër 2500 ha.

Situata më problematike paraqitej në komunat Ana e Malit, Bushat, Dajç i Bregut të Bunës dhe Guri i Zi.
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)