TIRANE- Sekretari i Përgjithshëm i PKD, njëkohësisht dhe i Unionit Kristian Shqiptar, Av.Dhimitër Muslia në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” tha se në qeverisje, përfshirë dhe Ndokën, i shërbejnë integrimit. Ai tha se duhet dorë e fortë kundër abuzimit, duke penalizuar deri zyrtarët e lartë. Për reformën në drejtësi, Muslia kërkoi riorganizim në KLD, pasi sipas tij PD ka militantët e saj në këtë sistem.
 
Sipas informacioneve nga kreu i qeverisë, dhe pohimeve të bëra më 29 nëntor me di sa nga krerët aleatë, në janar do të jeni pjesë e qeverisë. Cili mendoni se do të jetë kontributi juaj?
Partia Kristian Demokrate Shqiptare, sipas marrëveshjes së para 23 qershorit duhet të ishte pjesë e kabinetit të ri qeveritar që në fillesat e tij, për arsye sepse mori një mandat deputeti në qarkun e Shkodrës, duke thyer bastionin e së djathtës dhe duke marrë mbi 8 mijë vota në rang vendi. Ne si PKD i kemi dhënë gjithë tolerancën e nevojshme qeverisë aktuale, kemi mirëkuptuar nevojat e Kryeministrit për të krijuar një ekip në përputhje me kërkesat dhe pritshmëritë e tij të fazës së parë. Tani besojmë e shpresojmë që është momenti i përshtatshëm për të përfshirë edhe PKD-në në ekipin e Rilindjes, për t’i dhënë më tepër frymëmarrje reformave dhe për të përmirësuar akoma më tej performancën.

Ashtu siç është vepruar deri më tani me PBDNJ duhet të veprohet edhe me PKD-në (të dy këto subjekte politike kanë nga një mandat), sepse sjellja me dy standarde është jo korrekte dhe krijon çoroditje në elektorat. Përfshirja e PKD në qeverisje për më tepër i shërben procesit të integrimit Europian duke çuar një sinjal pozitiv në selitë diplomatike më të rëndësishme, ndjeshmëria e të cilëve ndaj filozofisë Kristiane është shumë e lartë. Ka ditë të tëra që mediat e faktori politik në vend po fajësojnë frymën ekstremiste të disa partive në Europë, që me pa të drejtë na cilësojnë si vend islamik. Në vijim të frymës bashkëpunuese ne ofrojmë kontributin tonë në çdo rang e nivel të qeverisjes, në përputhje me kapacitetet intelektuale dhe profesionale që disponojmë.
 
Është themeluar Unioni Demokristian por dhe senati demokristian. Cila është rëndësia e këtij unifikimi, dhe mund të shërbejë si një tërheqje dhe për kreun e PDK, Nard Ndoka për në qeveri?
Të bëjmë një saktësim si fillim: Quhet Unioni Kristian i Shqipërisë, në përputhje me marrëveshjen e themelimit të tij, më dt.07.12.2013. Ne i jemi përgjigjur një kërkese të hershme të bazës dhe strukturave tona për unifikim, me qëllim që të mos hyjmë të përçarë në zgjedhje dhe të rivalizojmë njëri tjetrin, por me platformë dhe strategji të qarta për maksimalizimin e votave dhe një përfaqësim sa më dinjitoz në të gjitha pushtetet. Synojmë në finale drejt një shkrirje të subjekteve në një sigël të vetme dhe bërjen demokristianëve ndër 3 forcat më kryesore në jetën politike shqiptare. Ndoka dhe më herët është shprehur: Nëse kryeministri Rama i jep PKD post ministri vota e tij është pro kabinetit qeverisës.
 
Qeveria e Ramës po tregon vullnet deri më tani në luftën kundër korrupsionit. Arrestimi i kryebashkiakut të Kamzës Xhelal Mziu, biznesmenit Taçi, etj po e tregon këtë. Duhen arrestime më lart?
Shprehja “duhet” s’ka vend. Kudo ka shkelje, abuzime, korrupsion me paratë publike duhen bërë arrestime të menjëhershme, pa përjashtuar askënd. Duhen zbardhur urgjentisht dosjet e cilësuara të “nxehta”, për të rikthyer besimin e shpresën tek shqiptarët. Bërja e transparencës ka qënë kërkesa kryesore, për të cilën votuan 1 milionë shqiptarë. Kjo është taksative dhe nga vendet e BE e një detyrë që duhet përmbushur deri në Qershor. Inkurajojmë Qeverinë të vazhdojë rrugën e nisur me më tepër temp e dinamizëm.
 
Reforma në gjyqësor është kërkuar dhe nga vendet anëtare të BE. Si e mendoni këtë reformë..?
Kemi frikë se do të ndodhemi përpara një ngërçi institucional, ku qeveria padit shkelësit e ligjit dhe gjykatat s’do t’i pergjigjen me të njëjtën gatishmëri. PD u kujdes gjatë gjithë mandatit të dytë që të hiqte profesionistët e vërtetë dhe t’i zëvëndësonte me njerëz të besuar dhe militantë të saj. Po kjo qasje të krijohet dhe nga disa vendime dhe qëndrime të KLD e Presidentit. Nevoja për reformimin e gjyqësorit është imediate e duhet gjetur çelësi për rikthimin e legjitimitetit.

Ne propozojmë rishikimin e ligjit për organizimin e funksionimin e KLD, për të bërë të mundur një reformë më të thellë në gjyqësor, sepse përveç numrave në Kuvend janë të gjitha arsyet e gjasat për ta ndërmarrë një nisëm të tillë. Madje në vlerësimin tonë, sikur t’i drejtoheshim edhe qytetarëve me referendum, të jeni të sigurtë se miratimi do ishte mbi 90%, sepse imazhi i drejtësisë fatkeqësisht vazhdon të jetë tepër i nxirë.

 
Shkrimi u publikua sot (25.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)