Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, tha në një konferencë për shtyp ditën e sotme se rreth 12 mijë hektarë pyje, kullota, pemishte dhe prona publike janë kthyer në hi, nga zjarret në mbarë vendin.

Ai pretendon se ky fenomen, deri më tani i ka shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej të paktën 80 milionë euro, vlerë e cila rritet çdo ditë sipas tij.

“Nga një përllogaritje e përafërt mbi bazën e kostos së ripyllëzimit, vlerës së lëndës drusore të djegur, kostos së degradimit të tokës dhe të tjera, dëmi ekonomik nga zjarret deri më tani rezulton përafërsisht 80 milion euro, vlerë e cila rritet çdo ditë.

Nga Parku Kombëtar i Lurës tek Parku Kombëtar i Prespës, nga Mali i Shkëlzenit në Tropojë e deri në Himarë, nga Bjeshkët e Rahovicës e deri në Konispol, flakët po shkrumbojnë pasuritë publike, ndërkohë me qindra banesa, objekte kulti, kisha e teqe, dhjetëra simbole të trashëgimisë historike kulturore, jetë njerëzish dhe bagëti janë në rrezik të përhershëm”,- tha Blushi.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë e gjen fajin për këtë situatë tek qeveria, e cila sipas tij ka dështuar që në 12 vite qeverisje radhazi të të ndërtojë një infrastrukturë funksionale, efikase, reaguese dhe parandaluese për emergjencat civile.

Sipas PL-së, kryeministri Edi Rama po përdor këtë situatë kaotike të shkaktuar nga zjarret në vend, për të kaluar në heshtje rritjen e çmimeve të referencës për pasuritë e paluajtshme, pa konsultim publik, “duke vendosur një taksë të re të fshehur mbi qytetarët më të varfër të Europës.”

“Në kulmin e situatës emergjente nga zjarret, në vend që të mobilizojë shtetin për të shpëtuar jetën dhe pasurinë e qytetarëve, Edi Rama merret me grabitjen e Pallatit të Kongreseve për interesat e klientelës së tij, që e ka kthyer Tiranën në lavatriçen më të madhe të korrupsionit dhe parave të pista në Ballkan.

Ndërkohë që flakët intensifikohen, qeveria rrit në heshtje çmimet e referencës për pasuritë e paluajtshme, pa konsultim publik, duke vendosur një taksë të re të fshehur mbi qytetarët më të varfër të Europës.

Një tjetër grabitje e pastër që do e bëjë edhe më të pamundur blerjen e një apartamenti dhe do rrisë më tej koston e jetesës.

Rritja tinëzisht e çmimeve të referencës për pasuritë e paluajtshme është goditja e radhës ndaj shtresës së mesme dhe të rinjve që e kanë të pamundur sot të blejnë një shtëpi.

Kjo nuk është thjesht keqqeverisje, por një bandë shtetërore që po djeg vendin për të ruajtur pushtetin e vet kriminal përmes farsës dhe terrorit elektoral të 11 Majit.

Ky është regjim që përdor zjarrin për të fshehur gjurmët e vjedhjeve dhe krimeve monstruoze që nuk ndalen.

Ndaj jo rastësisht Edi Rama, që nuk pushon së foluri për çadra e kioska pa leje që gjoja kanë zaptuar trotuaret publike, e kur vetëm sot numërohen 34 vatra zjarri në mbarë vendin, me firmën e tij  Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar së fundmi lejen e ndërtimit për 17 kulla të larta në afërsi të Liqenit të Farkës”,- tha Blushi.