Partia e Lirisë ka depozituar në Kuvend projektligjin ‘Për Sigurinë Ushqimore’. Deputeti Tedi Blushi gjatë një deklarate për mediat u shpreh se mbrojtja e shëndetit publik nga produktet e kontaminuara, prioritet kombëtar.
"Jemi në këtë konferencë të përbashkët shtypi me Prof. Edmond Panaritin, Sekretar për Çështjet e Bujqësisë, si dhe me Kryetaren e Komisionit të Bujqësisë në Partinë e Lirisë, Silvana Bajrami, për të prezantuar projektligjin për domosdoshmërinë e kryerjes së analizave laboratorike për agjentët ushqimorë, që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë ushqimore, një prioritet kombëtar jo vetëm për Partinë e Lirisë, por për të gjithë shqiptarët.
Kjo për faktin se siguria ushqimore në Shqipëri ndodhet sot në një gjendje alarmi kombëtar. Skandalet e përsëritura me produkte bujqësore të kontaminuara me pesticide dhe substanca të ndaluara po rrezikojnë seriozisht shëndetin e qytetarëve tanë.
Ndërkohë që këto produkte, në vendet e Bashkimit Europian ndalohen menjëherë, siç kanë raportuar gjerësisht mediat edhe në javët e fundit, në Shqipëri fatkeqësisht shiten lirshëm, duke përfunduar në tryezat e çdo familjeje shqiptare dhe duke helmuar shqiptarët. Për ne, kjo situatë është tërësisht e papranueshme, sepse përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin publik dhe sigurinë kombëtare", tha Blushi.
Ndër të tjera ai theksoi se përveçse dëmtojnë shëndetin, gjithashtu dëmtojnë imazhin e vendit dhe fermerët të cilët punojnë me standarde të sigurta. Sipas tij projektligji i prezantuar nga PL ka si qëllim parësor mbrojtjen e shëndetit publik.
"Pasojat janë të shumëfishta, sepse përveç dëmit shëndetësor, këto produkte të kontaminuara po godasin rëndë edhe eksportet shqiptare, duke dëmtuar jo vetëm imazhin e vendit, por edhe duke penalizuar fermerët e ndershëm që punojnë me standarde të sigurta, por që produktet e të cilëve nuk mund të gjejnë dot tregjet ndërkombëtare.
Në kushtet kur tregjet, sidomos europiane, po mbyllen për produktet shqiptare pikërisht për shkak të mungesës së kontrollit dhe të abuzimeve me kimikate, duke kompromentuar rëndë të ardhmen ekonomike të bujqësisë shqiptare, e cila po goditet jo vetëm për shkak të nënfinancimit, por edhe për shkak se për të dytin vit rradhazi, Bashkimi Europian ka ndërprerë fondet IPARD, 112 milion euro, për shkak të abuzimeve dhe mungesës së hetimit të këtij skandali nga drejtësia shqiptare.
Partia e Lirisë prezanton sot këtë projektligj, duke mbajtur njëherazi edhe fjalën e dhënë gjatë fushatës së fundit elektorale, ku premtuam se me nisjen e sesionit të ri Parlamentar, do të depozitonim një projektligj në Kuvend për Sigurinë Ushqimore, sepse ne besojmë se siguria ushqimore nuk është luks, por një e drejtë themelore e çdo qytetari dhe sidomos një detyrim kushtetues i shtetit shqiptar.
Në kushtet kur çdo ditë vonohen masat efektive dhe kur cdo ditë që kalon, është një ditë ku shëndeti i qytetarëve, sidomos i fëmijëve, dëmtohet nga produktet e kontaminuara, ne vijmë sot me këtë projektligj që ka si qëllim parësor mbrojtjen e shëndetit publik", përfundoi Blushi.
Komente










