Partia e Lirisë ngre shqetësimin se prodhimi industrial në vend ka rënë ndjeshëm dhe se modeli ekonomik që po ndjek qeveria, po sjell mbylljen e fabrikave dhe shtimin e kullave e betonit.
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të PL Tedi Blushit qeveria duhet të ketë një strategji serioze për industrializimin e vendit.
“Prodhimi industrial në Shqipëri ka rënë nga 100 pikë në vitin 2021 në vetëm 84.7 pikë në vitin 2025. Pra, në vetëm katër vite, Shqipëria ka humbur 15.3% të prodhimit industrial. Ky deindustrializmin ndodh për shkak se Edi Rama shton lejet për kulla dhe mbyll fabrika, shton betonin dhe frenon zhvillimin, nxit qarkullimin dhe legalizimin e parasë së pisët dhe godet prodhimin dhe ngatërron propagandën turistike me ekonominë e qëndrueshme. Është pikërisht ky model ekonomik që ka nxitur shpopullimin.
Ndërkohë që Serbia e ka rritur prodhimin industrial me 8.8%, Turqia me 9.9%, Greqia me 12.7%, Polonia me 12.5% dhe Danimarka me 28.8%, Shqipëria ka bërë të kundërtën: ka shkatërruar kapacitetin e saj prodhues. ‘Rilindja’ dështoi të zhvillojë industrinë vendase me prioritet industrinë e përpunimit në tërësi dhe veçanti të përpunimit të burimeve natyrore, me synimin e rritjes së vlerës së prodhimeve dhe rritjes së eksporteve. Sepse Edi Rama nuk ka një strategji serioze për industrializimin e vendit, për zhvillimin e industrisë përpunuese, për industrinë nxjerrëse minerare dhe hidrokarburet", tha Blushi.






Komente
Komento