Duke sjellë në vëmendje se Shqipëria ka një prej TVSH-ve më të larta në rajon për ushqimet e shportës, deputetët e Partisë së Lirisë depozituan në Kuvend propozimin ligjor për ta ulur nga 20% në 5% Tatimin mbi Vlerën e Shtuar te ushqimet bazë.
“Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar prej 5 për qind aplikohet mbi mallrat ushqimore të shportës bazë”, thuhet në kërkesën e PL-së.
Partia e Lirisë thotë se aplikimi i TVSH-së 20% për mallrat e shportës dëmton konsumatorin dhe krijon mungesë konkurrueshmërie për tregun vendas, si dhe rrit informalitetin.
“Ulja e këtij tatimi në 5% për një listë të kufizuar dhe të përcaktuar qartë të produkteve të shportës, nuk është vetëm një masë ekonomike, por një akt social dhe moral, në funksion të: Qëllimi i këtij projektligji është ulja e barrës fiskale për qytetarët shqiptarë për mallrat ushqimore bazë, të njohura si “artikujt e shportës”. Aktualisht, këto mallra tatohen me normën standarde të TVSH-së prej 20%. Propozimi synon aplikimin e një shkalle të reduktuar prej 5%, në përputhje me praktikat më të mira europiane dhe për të rritur fuqinë blerëse të konsumatorëve, veçanërisht të shtresave në nevojë”, thuhet në kërkesën e PL-së që propozon ndryshim të ligjit.
Por si do të ndikojë ulja e TVSH në 5% për produktet e shportës?
Partia e Lirisë argumenton se ky ndryshim mund të sjellë një ulje të përkohshme të të ardhurave në buxhetin e shtetit, por kjo humbje potenciale mund të balancohet nga rritja e konsumit dhe zgjerimi i bazës së tatueshme, formalizimi i mëtejshëm i tregut të ushqimeve bazë dhe rritja e besimit të konsumatorëve dhe stabiliteti social.
“Në afat të mesëm, kjo ndërhyrje pritet të ketë efekt pozitiv në ekonomi, veçanërisht në rritjen e konsumit të brendshëm dhe në uljen e varfërisë ushqimore”, argumenton Partia e Lirisë.
Zerimi i TVSH, që Kryeministri Rama premtonte në 2013, thotë PL për produktet e shportës, jo vetëm që nuk është bërë në tre mandate qeverisjeje, por shtresat në nevojë nuk janë mbështetur as në kulmin e krizës së pandemisë, duke u lënë në mëshirë të vendimeve të Bordeve ndërsa shton se kjo masë po merret edhe në një sërë vendesh të tjera si Italia.
Pr.ligji per uljen 5% TVSH e shportes
Komente











