Partia e Lirisë thotë se largimet nga vendi janë pasojë e keqqeverisjes dhe se programi i saj do të ndalonte shpopullimin.

Në një deklaratë për mediat, sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu tha se Shqipëria është vendi më i varfër në rajon, ndërsa familjet shqiptare përballen me vështirësi të mëdha ekonomike. 

‘Shqipëria është vendi më i varfër në rajon, por paguan si të ishte i pasur. Qeveria ka dështuar në garantimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve. Familjet shqiptare përballen me vështirësi të mëdha ekonomike. Shqiptarët kanë pagat dhe pensionet më të ulëta në rajon, por çmimet më të larta për mallrat e konsumit të përditshëm. Pjesa më e madhe e shpenzimeve mujore të qytetarëve shqiptarë shkon për ushqime, tregues tipik i vendeve në varfëri ekstreme. Sipas Eurostat dhe Instat, shqiptarët shpenzojnë vetëm për ushqime mbi 40% të të ardhurave mujore, përqindja më e lartë në të gjithë kontinentin. Ndërsa në vendet e Bashkimit Europian kjo mesatare është 13%.

Në Shqipëri fuqia blerëse është shumë e ulët, vetëm 34% e mesatares europiane. Në kushtet kur shqiptarët nuk arrijnë të përmbushin as nevojat më bazike të tyre, sigurisht që e vetmja alternativë për ta mbetet emigrimi. Është absurde që, edhe pas disa vitesh pune edhe karriere, përsëri familjarët të përpiqen për mbijetesën e tyre. Edhe pse Shqipëria është një vend bujqësor, ku prodhimi i saj përfaqëson 16% të PBB, mbetet e varur nga mallrat e importit.

Haxhiu deklaroi se mungesa e subvencioneve, ndarja e tokës në fragmente të vogla, përjashtimi nga skemat mbështetëse si dhe bllokimi i fondeve të IPARD nga BE, e kanë lënë fermerin në mëshirë të fatit.

Partia e Lirisë akuzon qeverinë se ka braktisur prodhimin vendas, duke nxitur varfërinë, importin dhe shpopullimin.

'Mungesa e subvencioneve, ndarja e tokës në fragmente të vogla, përjashtimi nga skemat mbështetëse, bllokimi i fondeve të IPARD nga BE, e kanë lënë fermerin në mëshirë të fatit. Në vend që shqiptarët të konsumojnë prodhime vendase, bio dhe me çmim të ulët, ata detyrohen të blejnë shtrenjtë mallrat e importit. Qeveria ka braktisur prodhimin vendas, sepse ka instaluar modelin ekonomik të oligopoleve, të importit dhe të përqendrimit të parave vetëm në një grusht njerëzish pranë saj.

Ky model ekonomik, i ndërtuar mbi varfëri, import dhe korrupsion, po nxit largimin masiv të shqiptarëve, veçanërisht të rinjve dhe familjeve të reja. Kostoja e jetesës është bërë një barrë e papërballueshme, ku qytetarët nuk përballojnë dot as shportën ushqimore. Tregu i lirë është pushtuar nga monopolet dhe importuesit e lidhur me pushtetin. Fshatrat dhe qytetet po boshatisen përditë, sepse të rinjtë nuk shohin as siguri, as të ardhme në Shqipëri. Partia e Lirisë e ka ndalimin e shpopullimit prioritetin e saj të parë, duke mbështetur familjet e reja me paga më të larta, programe strehimi, rimbursim të shpenzimeve për ushqimet bazë, kredi për blerje shtëpie me interes të subvencionuar, etj', tha ajo.