Duke renditur mungesat në ilaçe dhe infrastrukturë në spitalet publike, Partia e Lirisë thotë se shëndetësia është në kolaps.
Deputetja e PL Erisa Xhixho thotë se qeveria nuk i ka mbajtur premtimet për shëndetësi falas dhe se shumica e qytetarëve detyrohen t’i drejtohen privatit.
“Në Spitalin Onkologjik mungojnë barna jetike si acidi folinik dhe avastina. Nuk ka brakiterapi, nuk ka PET Scan. Pajisja e trombektomisë ka dy vite jashtë funksionit. Në Neurokirurgji mungon lomustina dhe familjarët detyrohen ta blejnë në tregun e zi me rreth 800 euro.Pamja në spitalet publike është dramatike.
Ambulanca në gjendje të mjerueshme, pacientë që marrin serum në karrige, vetëm një aparat eko në Urgjencën e QSUT-së, skanerë dhe grafi të prishura, pacientë që presin mbi 24 orë për një shtrat sepse nuk ka vende. Në Neurologji mungojnë trombektomia dhe arteriografia. Për shumë qytetarë, alternativa është vetëm një: ose të paguajnë privat, ose të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre. Premtimet e qeverisë kanë rezultuar një mashtrim i madh. Shqipëria meriton një sistem shëndetësor që shpëton jetë, jo një qeveri që investon në luks, ndërsa i lë qytetarët të luftojnë vetëm për mbijetesë”, tha Erisa Xhixho.
Komente








