Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Myrvete Asqeri, deklaroi sot se Shqipëria po përballet me një prej krizave më të rënda demografike në historinë e saj moderne.
Në një deklaratë për mediat, Asqeri tha se rënia e lindshmërisë është alarm kombëtar, teksa shtoi se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 janë regjistruar 9 664 lindje, duke vijuar trendin negativ të viteve të fundit.
Asqeri u shpreh se shumë familje përballen me kosto të larta jetese, mungesë të mbështetjes pas lindjes dhe kapacitete të pamjaftueshme në çerdhe e kopshte, duke i shtyrë një pjesë të tyre drejt emigrimit.
Ndër të tjera ajo tha se projektbuxheti 2026 nuk parashikon fonde shtesë për nënat e reja apo familjet me të ardhura të ulëta dhe kërkoi masa të menjëhershme si mbështetje financiare pas lindjes, lehtësime për kujdesin ndaj fëmijëve dhe programe punësimi për nënat.
Deklarata e plotë
Shqipëria po përballet me një prej krizave më të rënda demografike në historinë e saj moderne, por qeveria vazhdon të qëndrojë spektatore, pa ndërmarrë asnjë masë të vërtetë për të mbështetur nënat e reja, fëmijët dhe familjet shqiptare. Sot, shumë prej tyre nuk po largohen pse duan, por sepse shteti i tyre i ka braktisur.
Rënia e lindshmërisë është alarm kombëtar, por qeveria hesht. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 u regjistruan vetëm 9 664 lindje, duke ndjekur të njëjtin trend negativ të viteve të fundit. Në vend që të forcojë politikat për nënat e reja dhe prindërit, qeveria nuk ofron asnjë program të qëndrueshëm mbështetës.
As ndihmë financiare, as lehtësime për kujdesin ndaj fëmijëve, as politika të vërteta për punësimin e nënave. Në një kohë kur vendet e rajonit rrisin paketat e mbështetjes për prindërit, Shqipëria ofron më pak se kurrë. Shpenzimet për ndihmën ekonomike për familjet në nevojë mbeten të ngrira, ndërsa çmimet e ushqimeve dhe shërbimeve rriten çdo muaj. Kjo përkthehet në një mesazh të qartë për çdo nënë të re në Shqipëri: “Jeni vetëm.”
Çdo muaj, qindra nëna të reja largohen bashkë me fëmijët e tyre për të kërkuar siguri, mbështetje dhe kushte më të mira jetese jashtë vendit. Jo sepse duan të largohen nga Shqipëria, por sepse kjo qeveri nuk investon në ta.
Mungesa e politikave për çerdhet dhe kopshtet, pagesa të ulëta, mungesa e mbështetjes financiare pas lindjes dhe pamundësia për të përballuar koston e jetesës i detyrojnë të zgjedhin emigrimin si rrugën e vetme të mundshme.
Qeveria ka deklaruar shpesh “mbështetje për familjen”, por realiteti është krejt tjetër.
Nuk ka asnjë paketë reale demografike.
Nuk ka rritje të ndihmës për nënat dhe fëmijët.
Nuk ka politika lehtësuese për të rinjtë që duan të krijojnë familje.
Nuk ka shtim kapacitetesh në kujdesin para-shkollor.
Ka vetëm deklarata, ndërsa familjet shqiptare luftojnë çdo ditë për të mbijetuar.
Buxheti 2026 e thellon edhe më shumë krizën.
Në projektbuxhetin 2026 nuk është parashikuar asnjë fond shtesë për nënat e reja, fëmijët apo familjet me të ardhura të ulëta.
Fondi i ndihmës ekonomike mbetet pothuajse në të njëjtin nivel, 23.9 miliard lekë, pavarësisht rritjes së çmimeve dhe shtimit të varfërisë.
Për më tepër, numri i familjeve në ndihmë ekonomike vazhdon të ulet, ndërsa varfëria rritet.
Pra, në vitin kur vendi ka më shumë nevojë se kurrë për mbështetje sociale, qeveria ka zgjedhur të mos shpenzojë, të mos investojë dhe të mos mbrojë.
Nëse nuk marrim masa tani, nesër do të jetë vonë. Çdo nënë që largohet, çdo familje që braktis vendin, çdo fëmijë që rritet jashtë Shqipërisë është një humbje e pallogaritshme për të ardhmen e vendit.
Nënat dhe familjet shqiptare nuk mund të jenë më viktima të mosveprimit.
Shqipëria ka nevojë urgjentisht për politika të forta sociale, mbështetje financiare pas lindjes,
subvencionim të çerdheve dhe kopshteve.
Lehtësime tatimore për familjet e reja, programe punësimi për nënat dhe siguri ekonomike për fëmijët.
Nuk mund të flasim për të ardhmen e vendit, kur qeveria nuk mbron ata që na japin të ardhmen, nënat dhe fëmijët.
Komente










