SHKODËR/TIRANE -Pak ditë pas arrestimit, qëllohet me armë të ftohtë në dhomën e paraburgimit, ish kryetari i komunës Rrethina në Shkodër, Kleves Muja. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15.30 në burgun e Shën Kollit në Lezhë, ku Muja po vuante dënim prej 40 ditësh burg, dhënë nga gjykata 2 ditë më parë. Sipas burimeve policore, Muja është qëlluar nga shoku i tij i qelisë, Xheladin Kruja, i cili është dënuar me 12 vite burg pas vrasjes së dy vëllezërve.

38-vjecari i plagosur është dërguar në spitalin ushtarak ku sipas burimeve spitalore ndodhet në gjendje kritike për jetën.

NGJARJA
Muja ka qenë duke dhënë një prokurorë për avokatin e tij, Ardian Visha në dhomën e takimit. Pasi ka mbaruar procesi, Kleves Muja është çuar dhe I shoqëruar nga policët është nisur drejt qelisë së tij. Në këto momente, Xheladin Kruja e ka goditur Mujën në qafë me një mjet të mprehtë duke i prekur damarët.

MJEKET: ESHTE RENDE
Burime nga stafi mjekësor i Spitalit Ushtarak bënë të ditur për Shqiptarja.com se gjendja e Mujës është e rëndë. Rreth orës 16:40 ai kishte dalë nga salla e operacionit. Mjekët konfirmuan se plaga e ish-kryetarit të komunës është vetëm një, por mjaft e rëndë dhe i rrezikon jetën.

POLICIA RRETHON SPITALIN USHTARAK
Ndërkohë, forca të shumta policie kanë rrethuar Spitalin Ushtarak në kryeqytet, raporton gazetari i Shqiptarja.com që ndodhet në vendngjarje. Kjo pasi situata është mjaft e tensionuar.

Policia e Lezhës tha për Shqiptarja.com se dyshohet që Muja të ketë pasur konflikte të vjetra me agresorin e tij. Por nga të afërmit e tij në Tiranë e mohuan këtë duke theksuar se e njohin aspak Xheladin Krujën dhe nuk e dinë pse ai ka sulmuar ish-kreun e Komunës Rrethinë në Shkodër.

(im/aq/en/shqiptarja.com)