Policia ka zbardhur plagosjen me armë zjarri të 35-vjeçarit Akil TahiriKurbin, duke identifikuar autorin dhe shpallur në kërkim dy persona, ndërsa një tjetër është vënë nën hetim. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gurëz, pas një konflikti për motive të dobëta mes 35-vjeçarit dhe një 40-vjeçari, i cili dyshohet se e ka qëlluar me armë zjarri në këmbë.

Autori i dyshuar, i identifikuar si Fation Cobelita, alias Fation Staka, është shpallur në kërkim për plagosje të rëndë me dashje dhe armëmbajtje pa leje. Në kërkim është shpallur edhe një 26-vjeçar, Renato Marku, i cili dyshohet se shoqëroi të plagosurin në spital dhe më pas u largua pa njoftuar policinë.

Ndërkohë, në hetim është vënë edhe roja i spitalit të Laçit, pasi nuk ka njoftuar policinë kur 35-vjeçari mbërriti i plagosur, por e ka dërguar për mjekim në Spitalin e Traumës në Tiranë.

"Në vijim të informacionit të dhënë për ngjarjen e ndodhur më datë 24.04.2026, pas veprimeve të para hetimore, ka rezultuar se: Shtetasi A. T. është konfliktuar, dyshohet për motive të dobëta, me shtetasin F. C., alias F. S., i cili dyshohet se ka plagosur 35-vjeçarin. Ndërsa shtetasi R. M., 26 vjeç, ka shoqëruar në spital 35-vjeçarin dhe më pas është larguar, duke braktisur automjetin me të cilin udhëtonte.

Po nga veprimet rezulton se, rreth orës 10:20, në spitalin e Laçit ka mbërritur i plagosur në këmbë me armë zjarri (pistoletë) 35-vjeçari dhe mjeku roje nuk ka njoftuar shërbimet e Policisë, por e ka dërguar për mjekim në Spitalin e Traumës, Tiranë. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë shpallja në kërkim e shtetasve:

F. C., alias F. S., 40 vjeç, banues në fshatin Gorre, Kurbin, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; R. M., 26 vjeç, banues në të njëjtin fshat, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi A. I., 58 vjeç, banues në Kurbin, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk ka kryer detyrën e tij funksionale", njofton policia. 

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë