Policia e Tiranës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes së Bledar Dautit dhe Dashamir Tahirit, e ndodhur mbrëmjen e së martës në zonën e Laprakës, në Tiranë.

Hetuesit dyshojnë se konflikti mes tyre dhe Arbër Krrashit ka qenë i hershëm ndërsa nuk dihet nëse takimi i tyre ka qenë i rastësishëm apo kanë lënë vend takimi për t'u sqaruar. 36-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të Dautit e Tahirit, të cilët janë miq, për motive të dobëta, dhe është larguar me automjet. Mjeti u gjet i braktisur pas disa minutash.

Dy të plagosurit nuk kanë dhënë deklarime para hetuesve, dëshmia e të cilëve do të hidhte dritë mbi motivet e ngjarjes.

"Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore kryer nga specialistët e sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të plagosjes me armë zjarri, të shtetasve D. T. dhe B. D. (miq me njëri-tjetrin), rreth orës 21:20 të datës 08.09.2026, në Laprakë, u mundësua identifikimi i autorit të dyshuar të rastit, shtetasit A. K., 36 vjeç, banues në Tiranë.

36-vjeçari dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të 2 shtetasve, për motive të dobëta, dhe është larguar me automjet. 
Të dëmtuarit janë jashtë rrezikut për jetën.

Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit A. K", njofton Policia. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të metejshme.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë