Si asnjëherë më parë, nxënësit e gjimnazit “Sulejman Delvina” bojkotuan mësimin dhe protestuan këtë të premte para komisariatit të policisë, duke bërë thirrje për drejtësi.

Protesta vjen pas një konflikti të dhunshëm që ndodhi në shkollë tri ditë më parë, por drejtori i shkollës dhe policia nuk kanë ndërhyrë. Sipas rrëfimit të nxënësve, ngjarja ka ndodhur më datë 3 mars në mëngjes, kur një nxënës 15-vjeçar, në vitin e parë, ka sharë dhe ofenduar shokun e klasës, pasi ai i kishte mbyllur pa dashje derën e klasës. Të dy janë thirrur në drejtori, por konflikti nuk u shua.

Sipas nxënësve, agresori ka shkuar në shtëpi, ka marrë thikën dhe i ka zënë pritë shokut të tij sapo doli nga oborri.

“Djali 15-vjeçar ka dalë nga shkolla, ka marrë leje dhe ka shkuar në shtëpi që të marrë thikën dhe më pas ka dashur që djali tjetër t’i afrohet në një vend ku ka qenë pa njerëz të tjerë dhe kanë qenë disa bashkëmoshatarë që kanë patur frikë që të futen, por njëri prej tyre u fut dhe ai lëndoi dorën. Më pas shkolla ka thënë që ne nuk bëjmë dot asgjë sepse ai rast është bërë jashtë shkolle, ndërkohë që ai rast ka qenë shumë afër shkollës”.

Kjo është arsyeja pse gjimnazistët e Delvinës protestojnë tri ditë pas sherrit, ku mbeti i plagosur shoku i tyre.

Ata ndihen të pasigurt dhe akuzojnë drejtorin e shkollës, Tigri Berberi, se nuk e përjashton agresorin për shkak të pasurisë së babait të tij.

“Dëgjo, unë djalin që kishte thikën e kam në klasë edhe ishte gjithmonë problematik. Nuk është hera e parë që ne përballemi me këtë gjë. Ndoshta nuk është hera e parë për këtë vit që ai bën këto gjëra, por më përpara nëntëvjeçare ai është përballur me këto gjëra. Edhe thjesht drejtori i shkollës nuk mori asnjë masë për këtë. Ne e kemi në klasë dhe e shohim çdo ditë. Nuk mendoj se ai ka vend që të vijë këtu në shkollë. Përkundrazi ai duhet vetëm që të dënohet.”

“Sa për babain e tij, ai vjen këtu në shkollë, na jep moral dhe na thotë që jemi gënjeshtarë. Vjen këtu te porta e hyrjes së shkollës tonë dhe i bie xhepit me krenari, ndërkohë që ne i themi që leku nuk blen gjë.”

Gjimnazistët theksojnë se do të protestojnë çdo ditë përpara komisariatit për të kërkuar hetimin e plotë të ngjarjes dhe vënien përpara përgjegjësisë së 15-vjeçarit që plagosi shokun e klasës. Ata thanë se nuk do të tërhiqen pa u garantuar siguria në shkollë dhe ndëshkimi i autorit.

“Ne kërkojmë sigurinë tonë dhe drejtësi për atë djalin, sepse nuk është e drejtë që ai të vijë këtu në shkollë më pas gjithë asaj që ndodhi, sepse ne nuk do jemi të sigurt më në këtë shkollë nëse ai kthehet përsëri këtu dhe ne do ta vazhdojmë protestën nëse ai do kthehet.”

Report TV tentoi të kontaktojë drejtorin e shkollës, Tigri Berberi, dhe drejtoreshën e arsimit parauniversitar në Sarandë, Malinda Mavro, por nuk mori përgjigje. Ndërsa mjekët thanë se 15-vjeçari që u plagos me thikë në shpatull, pas mjekimit është larguar në banesë. Sakaq, policia është mjaftuar me një njoftim të shkurtër ku thotë se “janë referuar materialet në prokurori pasi dy shtetas të mitur, në lagjen ‘Sinan Ballaci’, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin. Gjatë konfliktit, njëri prej tyre është goditur me mjet prerës”.