RRESHEN - Plagosja me thikë e dy vëllezërve ditën e djeshme në qytetin e Rrëshenit ka sjellë reagimin e nënkryetarit të bashkisë së Rrëshenit, Bardhok Pulaj. Sipas tij, dy të rinjtë nuk kanë marrë ndihmë mjekësore, sepse as policia e as mjekët nuk u kishin ardhur në ndihmë, pasi ishin në mitingun e Berishës në fshatin Fan.

Partia Socialiste denoncoi këtë rast në rrjetin social Facebook, ku dy vëllezër 17 dhe 20 vjeç të plagosur me thikë në sheshin "Abat Doci" të Rrëshenit, kanë ecur në këmbë të plagosur pasi askush nuk u ishte përgjigjur telefonatave për ndihmë mjekësore.
 
“Situata e rendit është jashtë kontrollit. Fakti që në këtë periudhë në qendër të qytetit të Rrëshenit nuk kishte asnjë polic të rendit, që përkoi me manifestimin e kryeministrit në një përrua në Fan, ndërkohë që edhe në spital është dashur kohë që të gjendet një mjek sepse të gjithë ishin në miting elektoral te kryeministri”,-thotë Pulaj.
 
Dega PS-së së Rrëshenit në Facebook ka shtuar se për fat u gjendën disa infermiere që kontribuan për shpëtimin e jetës së dy vëllezërve, ndërsa shton se nënprefekti Gjon Pjetri ka thirrur të gjithë drejtorët duke u dhënë ultimatum që administrata të mos mungojë në miting.