Një nga ndryshimet kryesore që propozon Komisioni Europian është ta bëjë Bashkimin Europian më të shpejtë në marrjen e vendimeve, sidomos me zgjerimin e ardhshëm. Sipas planit, do të përdoren më shpesh mekanizmat që parashikojnë traktatet për të kaluar nga vendimmarrja me unanimitet te votimi me shumicë të cilësuar në fusha të caktuara. Kjo do të thotë se në disa raste një shtet i vetëm nuk do të mund të bllokojë një vendim që mbështetet nga shumica e vendeve anëtare.

Komisioni propozon që ky mekanizëm të përdoret në çështje si sanksionet ndaj vendeve të treta, të drejtat e njeriut, misionet civile të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes, lufta kundër mashtrimit, evazionit dhe shmangies fiskale, masat fiskale në sektorin e energjisë, si edhe mbrojtja sociale. Po ashtu, ai sugjeron që votimi me shumicë të cilësuar të përdoret edhe për vendimet ndërmjetëse gjatë negociatave të anëtarësimit, si hapja e grup-kapitujve, me qëllim që procesi i zgjerimit të mos vonohet nga bllokimet.

Në konferencën për shtyp, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, tha se zgjerimi është një mundësi që Bashkimi Europian të bëhet "më i fortë, më fleksibël dhe më efektiv". Sipas saj, përdorimi më i gjerë i klauzolave "passerelle", që parashikohen tashmë në traktatet e BE-së, do të ndihmonte në uljen e numrit të rasteve kur "një vend i vetëm mund të vendosë veton ndaj vendimeve që mbështeten nga të gjithë të tjerët".

Paketa parashikon gjithashtu përdorimin më të gjerë të bashkëpunimit të përforcuar, një mekanizëm që u lejon një grupi shtetesh të ecin përpara me një politikë të caktuar edhe nëse jo të gjitha vendet marrin pjesë që në fillim. Sipas Kos, ky model është përdorur më parë për krijimin e Zyrës së Prokurorit Publik Europian dhe për miratimin e mbështetjes për Ukrainën.

Për të garantuar që interesat kombëtare të mbeten të mbrojtura, Komisioni thekson se traktatet parashikojnë edhe mekanizma sigurie, si "emergency brake", që i lejon një shteti ta çojë një çështje në Këshillin Europian kur vlerëson se preken interesa thelbësore kombëtare, si dhe mekanizmin e Janinës, i cili detyron vazhdimin e negociatave për të gjetur një kompromis kur disa shtete kundërshtojnë një vendim, pa u dhënë atyre të drejtën e vetos.


Lajmi kryesor:

Zgjerimi i BE-së, Komisioni prezanton planin e ri: Integrim gradual para anëtarësimit dhe kufizim të vetos! Në fund të tetorit 'udhërrëfyesi' për Shqipërinë dhe vendet kandidate, Kos: Europa bëhet më e fortë