Një tjetër risi e paketës është krijimi i një kuadri të përbashkët garancish për të gjitha zgjerimet e ardhshme, me synimin që vendet e reja anëtare të vazhdojnë të respektojnë angazhimet e marra gjatë negociatave edhe pasi të hyjnë në Bashkimin Europian. Sipas Komisionit, traktatet e ardhshme të anëtarësimit do të përfshijnë mekanizma më të fortë kundër regresit në fusha si shteti i së drejtës, demokracia, të drejtat themelore dhe parimi i bashkëpunimit të sinqertë me Bashkimin Europian.

Në konferencën për shtyp, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, theksoi se synimi nuk është krijimi i një Bashkimi Europian me anëtarë të kategorive të ndryshme.

"Të gjitha shtetet anëtare do të gëzojnë të drejta të barabarta, edhe anëtarët e rinj. Ne nuk duam një anëtarësim me dy nivele. Për t'iu bashkuar Bashkimit tonë, vendet duhet të përmbushin standarde shumë të larta për shtetin e së drejtës dhe duhet të jemi të sigurt se pas anëtarësimit nuk do të bien më kurrë nën këto standarde. Këtë e kemi mësuar nga përvoja e së kaluarës," tha ajo.

Dokumenti propozon zgjatjen e periudhës gjatë së cilës mund të aktivizohen mekanizmat mbrojtës në fusha si ekonomia, tregu i brendshëm, drejtësia dhe punët e brendshme, si edhe krijimin e një mekanizmi të ri institucional për rastet e shkeljeve të rënda të vlerave të Bashkimit Europian. Në rastet më serioze, masat mund të përfshijnë pezullimin e të drejtës së votës së një shteti në Këshillin e BE-së, ndërsa Komisioni propozon gjithashtu ta bëjë më të lehtë pezullimin e mbështetjes financiare nëse një vend nuk respekton angazhimet e marra.

"Ne duam ta bëjmë më të lehtë ndërprerjen e mbështetjes financiare ose kufizimin e të drejtave të votës. Kjo është një lloj politike sigurimi, që të mund të reagojmë nëse është e nevojshme. Këto garanci do të zbatohen vetëm në rast shkeljesh," u shpreh Kos.

Një tjetër element i ri i paketës është propozimi që shtetet e reja anëtare të angazhohen të mos bllokojnë zgjerimet e ardhshme për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe, ndërsa dokumenti parashikon që, kur të jetë e nevojshme, traktatet e anëtarësimit të përfshijnë edhe masa tranzitore në fusha si lëvizja e lirë e punëtorëve dhe shërbimeve, bujqësia, produktet e ndjeshme, fondet europiane dhe pjesëmarrja në sistemet e përbashkëta.


Lajmi kryesor:

Zgjerimi i BE-së, Komisioni prezanton planin e ri: Integrim gradual para anëtarësimit dhe kufizim të vetos! Në fund të tetorit 'udhërrëfyesi' për Shqipërinë dhe vendet kandidate, Kos: Europa bëhet më e fortë