Një nga risitë kryesore të paketës është forcimi i integrimit gradual, me synimin që vendet kandidate të mos presin anëtarësimin e plotë për të përfituar nga Bashkimi Europian. Komisioni propozon një proces më të strukturuar dhe më të parashikueshëm, që u lejon vendeve kandidate të marrin pjesë më herët në politika dhe sektorë të caktuar të BE-së, nëse plotësojnë kushtet e kërkuara. Sipas dokumentit, kjo do të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve administrative, përgatitjen për anëtarësim dhe do të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset si në vendet kandidate, ashtu edhe në Bashkimin Europian.
Në konferencën për shtyp, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, tha se Komisioni synon të jetë "shumë më ambicioz" në këtë proces.
"Ne duam të jemi shumë më ambiciozë në integrimin e vendeve tona kandidate në pjesë të përzgjedhura të Bashkimit përpara anëtarësimit. Integrimi gradual nuk është zëvendësim për anëtarësimin e plotë. Ai është përshpejtuesi i zgjerimit dhe një urë midis nevojës gjeopolitike për të stabilizuar kontinentin tonë dhe zgjerimit të bazuar në merita", u shpreh ajo.
Sipas dokumentit, pjesëmarrja në këto politika do të mbetet e bazuar në meritë, e kushtëzuar nga reformat dhe e kthyeshme, që do të thotë se mund të pezullohet nëse një vend nuk përmbush më kushtet. Për të përfituar nga integrimi gradual, vendet kandidate duhet të kenë bërë përparim në reforma dhe të jenë të përafruara me prioritetet strategjike të Bashkimit Europian.
Kos tha se sapo një vend të arrijë standardet e kërkuara, ai duhet të jetë në gjendje të marrë pjesë në sektorë strategjikë ku ka përfitime për të dyja palët, si energjia, transporti, inteligjenca artificiale, siguria dhe mbrojtja.
Dokumenti shkon edhe më tej, duke parashikuar zgjerimin gradual të pjesëmarrjes së vendeve kandidate në instrumente dhe politika të tjera të Bashkimit Europian, si tregu i përbashkët, programet europiane, agjencitë e BE-së dhe fusha të tjera ku integrimi i hershëm mund të lehtësojë përgatitjen për anëtarësim. Sipas Komisionit, puna me të njëjtat standarde do ta bëjë më të lehtë zhvillimin e biznesit dhe do të krijojë përfitime si për kompanitë e BE-së, ashtu edhe për ato të vendeve kandidate, ndërsa kjo qasje konsiderohet veçanërisht e rëndësishme edhe për rindërtimin e Ukrainës.
Lajmi kryesor:
Zgjerimi i BE-së, Komisioni prezanton planin e ri: Integrim gradual para anëtarësimit dhe kufizim të vetos! Në fund të tetorit 'udhërrëfyesi' për Shqipërinë dhe vendet kandidate, Kos: Europa bëhet më e fortë










