Komisioni Europian propozon një model të ri financimi për vendet që do t'i bashkohen Bashkimit Europian, me synimin që ato të përgatiten gradualisht për menaxhimin e fondeve europiane dhe kalimin te programet e plota të Unionit pas anëtarësimit.

Në konferencën për shtyp, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, tha se analiza e Komisionit tregon se Bashkimi Europian është në gjendje ta përballojë zgjerimin, edhe pse në disa fusha do të nevojiten përshtatje.

"Vlerësimi ynë tregon se në shumicën e fushave të politikave, BE-ja mund ta përballojë zgjerimin tani. Por ka fusha ku do të na nevojiten përshtatje," deklaroi ajo.

Sipas dokumentit, buxheti shumëvjeçar i BE-së për periudhën 2028-2034 do të përshtatet për të mbështetur zgjerimin. Para anëtarësimit, vendet kandidate do të financohen përmes instrumentit Global Europe, i cili do të ofrojë grante, kredi, garanci buxhetore dhe asistencë teknike, të përshtatura sipas nevojave të secilit vend, ecurisë së reformave dhe interesave strategjike të Bashkimit Europian.

Ndërsa negociatat afrohen drejt përfundimit, Komisioni do të hartojë për secilin vend një paketë financiare të posaçme, që do të përcaktojë kalimin nga fondet e para-anëtarësimit te fondet e plota të Bashkimit Europian. Pas hyrjes në BE, vendet e reja do të përfshihen në Planet Kombëtare dhe Rajonale të Partneritetit, duke përfituar financime për politikën e kohezionit, bujqësinë, punët e brendshme dhe programin Interreg.

Dokumenti thekson se mbështetja financiare do të mbetet e lidhur me zbatimin e reformave. Nëse një vend nuk përmbush kushtet ose konstatohen mangësi serioze në menaxhimin e fondeve, Komisioni mund të pezullojë ose të reduktojë pagesat. Përpara anëtarësimit, vendet kandidate do të duhet të provojnë se janë në gjendje të menaxhojnë fondet e Bashkimit Europian në mënyrë transparente, të luftojnë mashtrimin dhe korrupsionin dhe të bashkëpunojnë me institucionet europiane përgjegjëse për mbrojtjen e interesave financiare të Unionit.

Kos veçoi edhe rastin e Ukrainës, duke theksuar se madhësia dhe produktiviteti i lartë i sektorit bujqësor kërkojnë masa të posaçme për produktet bujqësore të ndjeshme.


Lajmi kryesor:

Zgjerimi i BE-së, Komisioni prezanton planin e ri: Integrim gradual para anëtarësimit dhe kufizim të vetos! Në fund të tetorit 'udhërrëfyesi' për Shqipërinë dhe vendet kandidate, Kos: Europa bëhet më e fortë