Negociatat mbi planin e paqes në Gaza të paraqitur nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, të cilit Hamasi deri më tani i ka dhënë dritën jeshile me kusht, kanë filluar zyrtarisht sonte në Sharm el-Sheikh. 

Hamas po pranon gjëra shumë të rëndësishme.” Këtë e tha presidenti amerikan duke folur në Zyrën Ovale. Dhe shtoi: “Së shpejti do të kemi një marrëveshje.”

Takimet paraprake u mbajtën gjatë ditës në Kajro, midis delegacionit të Hamasit dhe përfaqësuesve të Egjiptit dhe Katarit, sipas BBC. Ekipi izraelit, udhëhiqet nga Ministri Ron Dermer. Delegatët nga Hamasi, të udhëhequr nga Khalil al-Haya, kanë qenë në Kajro që prej mbrëmjes së djeshme. Pritet gjithashtu mbërritja e të dërguarit të SHBA-së Steve Witkoff dhe dhëndrit të presidentit Trump, Jared Kushner.

Presidenti i SHBA, Donald Trump mbetet optimist për planin e tij të paqes në Gaza. Pas ultimatumit të një dite më parë ndaj Hamasit, Trump kërkon që faza e parë e bisedimeve, që pritet të vijojnë sot mes negociatorëve të lëvizjes së armatosur dhe Izraelit në Egjipt, të përfundojnë brenda kësaj jave. Ai i përshkroi bisedimet e deritanishme si shumë pozitive, por paralajmëroi se koha ishte thelbësore dhe se nevojitej veprim i shpejtë për të shmangur "gjakderdhjen e madhe".

"Këto bisedime kanë qenë shumë pozitive dhe po përparojnë me shpejtësi. Ekipet teknike do të takohen përsëri të hënën në Egjipt për të përpunuar dhe sqaruar detajet përfundimtare. Më është thënë se faza e parë duhet të përfundojë këtë javë dhe po i bëj thirrje të gjithëve të veprojnë shpejt", shkroi Trump.

Ai shtoi se "Hamasi duhet të nxitojë tani; unë nuk do të toleroj asnjë vonesë. Do të shkatërrohet nëse refuzon të heqë dorë nga pushteti dhe kontrolli i Gazës". Presion dhe mbi Netanyahun: "Është një marrëveshje e shkëlqyer për Izraelin".

 

Bisedimet vijnë pasi Hamasi ra dakord për disa pjesë të një plani paqeje prej 20 pikash të SHBA-së, duke përfshirë dorëzimin e pengjeve dhe qeverisjen e enklavës nga teknokratë palestinëze, por po kërkon negociata për çështje të tjera. Megjithatë, në tekstin e deklaratës nuk përmendet çarmatimi i lëvizjes, të cilin e kërkon Izraeli, apo dëbimi i luftëtarëve të saj në vende të treta, dy pika kyçe të planit të presidentit amerikan.

Figurat kryesore që do të ulen në tryezën e bisedimeve:

- SHBA: I dërguari i Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner

- IZRAEL: Televizioni satelitor Al-Arabiya raportoi mbërritjen këtë mëngjes në Sharm el-Sheikh të zyrtarëve të lartë të Shin Bet dhe Mossad, si dhe të koordinatorit për pengjet dhe personat e zhdukur, Gal Hirsch. Në orët e fundit, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu konfirmoi se delegacioni izraelit do të udhëhiqet nga Ministri i Çështjeve Strategjike Ron Dermer. Por, sipas dy burimeve izraelite të cituara nga CNN, Dermer po e udhëheq delegacionin nga distanca - të paktën për momentin.

- KATAR: Sipas BBC, megjithëse nuk ka konfirmim nga mediat arabe, Ministri i Jashtëm Mohammed bin Abdulrahman Al Thani do të jetë i pranishëm në Sharm el-Sheikh.

- HAMAS: Grupi që mori kontrollin e Rripit të Gazës në vitin 2007 njoftoi në orët e fundit se delegacioni i tij udhëhiqet nga Khalil Al-Hayya, kryenegociatori i grupit, të cilin Izraeli u përpoq ta eliminonte në bastisjen në Doha shtatorin e kaluar.

Lajm ne perditesim…

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:55
Trump: Hamas po pranon gjëra shumë të rëndësishme

1759244068_lufttarthamasit.JPG

“Hamas po pranon gjëra shumë të rëndësishme.” Këtë e tha presidenti amerikan duke folur në Zyrën Ovale.

Dhe shtoi: “Së shpejti do të kemi një marrëveshje.”

Trump mohon që të kenë pasur momente tensioni midis tij dhe Benjamin Netanyahut për marrëveshjen për Gazën.

“Nuk është e vërtetë, ai ka qenë shumë pozitiv,” tha presidenti amerikan duke folur në Zyrën Ovale, duke iu referuar një prapaskene që ishte publikuar nga Axios.

Ora 15:23
Media: Hamas njofton se sonte nis raundi i parë i negociatave në Egjipt

1759173822_20250712MAP001.jpg

“Raundi i parë zyrtar i negociatave do të nisë sonte në Egjipt” – ka deklaruar një burim nga Hamasi për CNN.

Një ditë më parë, grupi kishte njoftuar se përfaqësuesit e tij kanë mbërritur në Egjipt.

Ora 15:17
Izraeli dëbon Greta Thunberg dhe 170 aktivistë të tjerë drejt Greqisë dhe Sllovakisë

1759756735_68e3bc347f5d4.jpeg

Izraeli ka dëbuar 171 aktivistë të “Global Sumud Flotilla” – mes tyre edhe aktivisten e njohur suedeze Greta Thunberg – pasi anijet me ndihma humanitare që po shkonin drejt Rripit të Gazës u ndaluan dhe u sekuestruan nga autoritetet izraelite.

Sipas njoftimeve zyrtare të Izraelit, të konfirmuara edhe nga burime diplomatike evropiane, aktivistët u riatdhesuan sot në Greqi dhe Sllovaki me fluturime të organizuara nga qeveritë e vendeve të tyre.

Operacioni pason sulmin e marinës izraelite më 1 tetor ndaj flotiljes civile që transportonte ilaçe dhe ndihma bazë për popullsinë e Gazës. Pas sekuestrimit të anijeve, aktivistët u mbajtën në paraburgim dhe u morën në pyetje për disa ditë.

Në mesin e 171 personave të dëbuar, 27 janë shtetas grekë, të cilët po kthehen në Athinë me një fluturim humanitar të koordinuar nga Ministria e Jashtme e Greqisë. Anëtarë të tjerë të ekuipazhit dhe vullnetarë ndërkombëtarë janë transferuar në Sllovaki.

Në një mesazh të shpërndarë nga stafi i saj, Greta Thunberg deklaroi se misioni kishte për qëllim vetëm dorëzimin e ndihmave civile dhe tërheqjen e vëmendjes mbi krizën humanitare në Gaza, duke përsëritur thirrjen për një reagim ndërkombëtar përballë shkeljeve të së drejtës humanitare.

Ora 15:11
Kallas: Të shfrytëzojmë momentin për Gazën, BE-ja do të bëjë pjesën e saj

1759756371_15090026876da772a1698484fae3f6372c8b8c976.webp

Kaja Kallas

“Ne kemi diskutuar gjithashtu mbi situatën katastrofike në Gaza. Ndërprerja e vuajtjeve njerëzore është përparësia jonë kryesore. Ky cikël vdekjesh duhet të marrë fund. Duhet të shfrytëzojmë momentin politik të krijuar në Nju Jork. Ne mbështesim përpjekjet që po zhvillohen për arritjen e një armëpushimi, lirimin e pengjeve dhe krijimin e një horizonti politik për paqen.

Bashkimi Evropian është i gatshëm të kontribuojë në këtë plan me të gjitha mjetet që ka në dispozicion. Ne jemi donatori kryesor humanitar në Gaza, kemi krijuar Grupin e ri të Donatorëve Palestinezë dhe mbetemi mbështetësi kryesor financiar i Autoritetit Kombëtar Palestinez, me 1.6 miliardë euro të planifikuara për periudhën 2025–2027.”

Kështu deklaroi Kaja Kallas, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Bashkëpunimit BE–Gjiri, që u zhvillua në Kuvajt Siti.

Ora 15:07
Mbi 67 mijë palestinezë të vrarë që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës

1759323197_AFP20250930778692Vv2HighResTopshotIsraelPalestinianConflictGaza1759228397.webp

Numri i viktimave në Rripin e Gazës që nga fillimi i luftës ka arritur në 67.160 të vrarë dhe 169.679 të plagosur.

Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e cila njofton se vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë vrarë 21 palestinezë dhe 96 të tjerë janë plagosur.

Ora 08:54
Negociatat në Sharm el-Sheikh, Hamas njofton mbërritjen e delegacionit të tij

1759734504_delagacioniihamasit.JPG

Hamas ka njoftuar se delegacioni i saj, i udhëhequr nga Khalil al-Hayya, ka mbërritur në Egjipt për të marrë pjesë në negociatat për lirimin e pengjeve. Negociatat do të zhvillohen në Sharm El-Sheikh, ku pritet të mbërrijë edhe delegacioni izraelit i udhëhequr nga ministri i Çështjeve Strategjike, Ron Dermer, shefi i Shërbimit të Sigurisë së Brendshme (Shin Bet) dhe kreu i Mossad-it. Pritet që në bisedime të marrin pjesë edhe i dërguari i posaçëm i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, Steve Witkoff, si dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner. Delegacioni i Hamasit i udhëhequr nga Khalil al-Hayya mbërriti ditën e djeshme në Egjipt, ndërsa sipas raportimeve ata ndodhen tashmë në Sharm el-Sheikh.