SHBA-të po diskutojnë nëse duhet të vendosë armë bërthamore në shtete të tjera europiane të NATO-s, një lëvizje që synon t’u japë garanci aleatëve se zvogëlimi i mbështetjes ushtarake nuk e dobëson sigurinë e tyre.

Zyrtarë amerikanë kanë sinjalizuar gatishmëri për baza shtesë përtej gjashtë vendeve ekzistuese që aktualisht strehojnë bombardues të aftë për armë bërthamore, janë shprehur tre burime për Financial Times.

Bisedimet, të cilat janë shumë konfidenciale dhe mund të mos çojnë në ndonjë ndryshim të marrëveshjeve për ndarjen bërthamore, vijnë mes shqetësimeve të gjera në Evropë lidhur me lëvizjet e Donald Trumpit për të tërhequr trupat amerikane dhe sistemet kritike të armëve nga kontinenti.

Kjo do të mundësonte që më shumë vende të kenë të ashtuquajturit avionë amerikanë me përdorim të dyfishtë (DCA), të cilët janë të aftë të kryejnë sulme bërthamore. Dy nga burimet thanë se gatishmëria për të diskutuar një zgjerim synonte të tregonte angazhimin e SHBA-ve për të ofruar një “ombrellë bërthamore”, edhe pse aleatët e NATO-s po shtyhen të marrin më shumë barrë të mbrojtjes konvencionale.

Vendet në krahun lindor të NATO-s, përfshirë Poloninë dhe disa shtete baltike, ishin të interesuara për bazat DCA, thanë burimet.

Zyrtarët polakë, në veçanti, kanë folur publikisht për dëshirën për ruajtjen e armëve bërthamore. Diskutimet po vijojnë në kanalet e NATO-s, tha një burim duke shtuar se aleatët më afër kufijve të Rusisë kishin treguar interesin më të madh.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe deklaratat e përsëritura të presidentit Vladimir Putin për aftësitë bërthamore të Kremlinit kanë nxitur interesin e disa aleatëve për bazat, shtuan ata.

Një burim i tha se një marrëveshje për zgjerimin e vendosjes së armëve bërthamore amerikane nuk është e afërt.

Programi i ndarjes bërthamore të NATO-s përfshin aleatë, aktualisht Belgjika, Gjermania, Italia, Holanda, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar, të miratuar për të strehuar avionët amerikanë me aftësi bërthamore (DCA) dhe bomba bërthamore. Këto janë nën mbrojtjen amerikane, ndërsa Uashingtoni ruan autoritetin e vetëm për përdorimin e tyre.

E krijuar gjatë Luftës së Ftohtë, NATO thotë se kjo marrëveshje “ofron një platformë për aleatët e NATO-s jo-bërthamorë për të ndikuar në politikën dhe planifikimin bërthamor të Aleancës si një mjet për të garantuar sigurinë e tyre pa zhvilluar armë bërthamore”.

Armët bërthamore amerikane të vendosura në shtetet evropiane ruhen dhe mbrohen nga trupat amerikane. Njësitë ajrore të vendeve aleate, duke përdorur avionë F-35, F-15 dhe Tornado, trajnohen për të marrë pjesë në ushtrime dhe misione për të demonstruar gatishmërinë e forcës, dhe në fund për të përdorur bombat kur autorizohen nga SHBA.

Lëvizjet e fundit të administratës Trump për të anuluar vendosjet e planifikuara të sistemeve kyçe të armëve në Evropë dhe për të njoftuar tërheqje trupash, si pjesë e një zhvendosjeje të burimeve ushtarake drejt Azisë dhe rajoneve të tjera, kanë shqetësuar disa aleatë të NATO-s. Ata frikësohen se kjo do të lërë boshllëqe në mbrojtjen e kontinentit dhe në aftësinë për të penguar ose zmbrapsur ndonjë sulm.

Ndërsa aleatët evropianë janë zotuar të rrisin ndjeshëm shpenzimet e tyre të mbrojtjes dhe investimet në kapacitete kyçe konvencionale që aktualisht u ofrohen nga SHBA, “ombrella bërthamore” konsiderohet e pazëvendësueshme.