TIRANE - Me vendimin për “zmadhimin“ e Tiranës, Lulzim Basha ka siguruar për firmat e ndërtimit pranë tij jo pak, por 14 kilometra katrorë truall ndërtimi. Ndërkohë, një gjë e tillë ishte e pamundur deri pak kohë më parë, pasi Plani Rregullues i kryeqytetit bllokohej nga Berisha, si kryetar i KRRTRSH-së.

Heqja e stacionit të trenit, që nisi ditën e shtunë, ka qenë vetëm hapi i parë drejt realizimit të planit të ri rregullues të Tiranës. Në fakt, sikurse sqaroi dje Bashkia e Tiranës, stacioni i trenit vetëm se do të spostohet, për t’u bërë edhe më funksional, duke u bashkuar në një terminal pasagjerësh, ku të përfshihen edhe linjat e autobusëve. Por, largimi i stacionit hap një hapësirë ndërtimore, që nuk ekzistonte më parë, pikërisht në momentin kur dukej se Tirana nuk kishte më vend se ku të ndërtohej.

Kohët e fundit, edhe kur Bashkia dhe qeveria drejtohej nga e njejta forcë politike – PD-ja, janë dhënë, sipas INSTAT-it, më pak leje se në çdo vit këto 15 vitet e fundit. Zgjatimi i bulevardit krijon automatikisht një hapësirë të re ndërtimore, por edhe një faturë që duhet të paguhet për shpronësime, me kosto jo të vogël, duke qenë se fjala është për zona me çmime ndër më të lartët në vend, sipas VKM-ve përkatëse të përcaktimit të çmimit të truallit në Republikë. Bashkia ka siguruar tashmë 61 mln euro fonde, kryesisht arabe, nga 85 mln që kërkohen vetëm për infrastrukturën.
 
NDËRTUESIT

Një pohim interesant ka bërë Dritan Caka, nga shoqëria imobiliare “Dev Information”. “Bulevardi i ri do të jetë një potencial i ri për Tiranën. Aty pritet që të ngrihet infrastrukturë shumë e mirë, me hapësira të mëdha të gjelbra. Unë mund të konfirmoj se ne kemi asistuar në lidhjen e disa kontratave ndërmjet kompanive të ndërtimit dhe pronarëve të trojeve në këtë zonë, duke i paraprirë edhe nisjes së investimit për zgjerimin e tij”, thotë ai.

Pra, edhe pa hyrë në fuqi plani i investimit, tashmë janë lidhur madje kontrata për pallate. Këtë nuk mund ta bëjë kushdo, përveç atyre investitorëve, që e dinë shumë mmirë se ku do të kalojë rruga, ku do të jetë hapësira e destinuar për një park, një hapësirë të gjelbër, një shkollë, ministrinë e Drejtësisë, siç është njoftuar më parë.

Një ndër ndërtuesit e njohur, Hajredin Fratari, pohon se “sot, edhe vendet apo zonat e mira po studiohen me kujdes nga kompanitë e ndërtimit, sepse po kërkohet të matet edhe kërkesa potenciale në to. Kriza i ka mësuar tashmë investitorët se duhet të mendohen mirë para se të investojnë paratë dhe, mbi të gjitha, duhet të kenë edhe kapitale të mëdha, sepse pa to, ecuria vihet në pikëpyetje”, thotë ai.
 
TREGU

Ekspertët e sektorit janë të bindur se zonat që do të vuajnë më shumë nisjen e dhënies së lejeve të ndërtimit në zonat brenda Tiranës dhe zhvillimin e bulevardit të ri do të jenë ato periferike. Zona e Kasharit, Fresku dhe ato mbi Liqenin Artificial të Tiranës parashikohet të kenë një kërkesë në rënie për blerje apartamentesh. Infrastruktura e ngritur keq, si pasojë edhe e menaxhimit të saj nga komunat, i ka shndërruar ato në zona problematike, ku nuk mund të kesh akses në shumë shërbime bazë. Është tashmë fakt i pranuar se çmimet e apartamenteve në shumë prej këtyre zonave janë ulur sot deri në 350 euro/m², por thuajse askush nuk i blen.
Harta e planit rregullues të Tiranës ku duket aksi Veri-Jug i bulevardit me logo
(Në foto: Harta e planit rregullues të Tiranës ku duket aksi Veri-Jug i bulevardit)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 03.09.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)