Shtimi i orëve të edukimit fizik, shndërrimi i shkollës praktikisht në një klasë sportive masive dhe plotësimi i nevojave me mësues të kualifikuar dhe të përgatitur janë 3 prej risive që sjell viti i ri shkollor. Zv/ministri i Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj, ka theksuar se, për këto arsye, viti i ri shkollor shënon një hap të madh përpara. Sipas tij, tashmë nuk do të kemi vetëm dy orë mësimi në jave tw edukimit fizik por tre në mënyrë që të rinjtë të jenë më aktive.


Por, shtimi i orëve të mësimit ka kërkuar që të shtohen edhe mësuesit e fizkulturës, për këtë arsye vetë zv/ministri i Sportit, është duke organizuar një stërvitje dhe mënyrë përgatitore për të gjithë ata mësues të cilët do të futen në konkurs. Çdo pasdite pranë kodrave të Liqenit Artificial, me qindra mësues të rinj por edhe të tjerë që duan të punësohen në profilin e tyre, kryejnë ushtrimet stërvitore dhe më pas ti nënshtrohen konkursit që do të zhvillohet nga MAS.

“Do të kemi një rritje të orëve të mësimit nga dy në tre orë në javë. Kjo përkon me një organizim të tillë shkencor që volumi stërvitor që kryhet, bën të mundur realizimin e një shfrytëzimi energjitik i cili krijon drejtpërsëdrejti me përfitime të theksuara, në luftë kundër patologjive të ndryshme që janë tashmë të shfaqura te rinia jonë” ka pohuar zv/ministri Dimraj.

Sipas tij, rinia e sotme është me e dhjamosur e historisë së popullit tonë. Sipas të dhënave me shtimin e orëve mësimore, pritet që të hapen edhe vende të reja pune për mësues të këtij profili. Ndërkohë që të dhënat e studimeve më të fundit në vendin tonë tregojnë se popullsia jonë aktivizohet fizikisht-atletikisht, në masën prej 4 %, domethënë aktiviteti fizik është pakësuar në përmasa të theksuara dhe individi ynë është bërë sedentar.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)