TIRANE - Viti 2016 do të nisë me një rishikim të organizimit të Agjencive të varësisë së ministrive. Ristrukturimi do të nisë me suprimimin e një pjese të mirë të Agjencive dhe Drejtorive që janë në varësi të ministrive. Burimet kanë bërë të ditur se kryeministri Edi Rama u ka kërkuar ministrave të paraqesin propozimin për formën e re të organizimit të këtyre institucioneve, për të shkuar drejt uljes së numrit të punonjësve si dhe të shpenzimeve të tyre.

Shkak për këtë kërkesë të Ramës duket se janë të ardhurat në Buxhetin e Shtetit si dhe përqendrimi për investimet dhe jo në burimet njerëzore. Në listën e gjatë të agjencive, që nuk janë pjesë të organigramës së ministrive, vihen re dhe struktura që nuk kanë asnjë efektshmëri, apo dhe që kanë mbivendosje të kompetencave, ndaj dhe në prezantimin e buxhetit të ri, pritet që të parashikohet ulja e shpenzimeve përsa u përket pagave dhe honorarëve apo dhe shkrirja e disa Agjencive.

Por pse lind ky plan për të shkrirë Agjencitë?
Qeveria po shkon drejt shkrirjes së agjencive në varësi të ministrive për të shmangur rritjen e taksave. kjo pasi ekziston një kërkesë e Fondit Monetar Ndërkombëtar për rritjen e taksave në mënyrë që qeveria të mbyllë borxhet e prapambetura. Për të shmangur rëndimin e xhepave të shqiptarëve duke rritur taksat, qeveria po studion një plan për të shkurtuar agjencitë, duke "goditur" ato të cilat kanë një numër të lartë punonjësish, apo agjencitë më pak të nevojshme.