Drejtoria e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit ka parandaluar vjedhjen e të dhënave të mbi 5 mijë shtetasve shqiptarë në operacionin e pak ditëve më parë ku u arrestuan 2 kinezët, Cunfeng Fan, 51 vjeç, dhe Haike Yan, 45 vjeç.

Burime pranë bluve bëjnë me dije se përllogaritja e shumës që rrezikonte të vidhej përmes skemës mashtruese të kinezëve në falsifikimin e faqeve të Postës Shqiptare shkojnë rreth 5 miliardë lekë, apo 50 milionë euro, nga llogaritë bankare të shqiptarëve. 2 kinezët, pasi erdhën në Tiranë për të vijuar aktivitetin kriminal, u akomoduan në një hotel shumë afër qendrës së kryeqytetit, vend ku u gjetën me dhjetëra sende materiale me rëndësi për hetimin.

Ata kishin planifikuar që të qëndronin për disa ditë në Shqipëri, do largoheshin dhe pas ngritjes së infrastrukturës për marrjen e të dhënave të shtetasve shqiptarë, paratë do të tërhiqeshin nga jashtë vendit.

17 telefona, 1 laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankrare, 7 karta identiteti dhe 1 patentë, kaq i janë dashur dy kinezëve për të ngritur skemën kriminale dhe për të finalizuar planin e tyre. Në zbërthimin e aparateve celularë, janë gjetur listat me të dhënat e 5 mijë personave, banues në Shqipëri. Në telefonat e këtyre personave dërgohej një link imitues i Postës Shqiptare. Nga klikimi i këtij linku, i jepej akses dy kinezëve tek të dhënat private të personave dhe më pas tek llogaritë e tyre bankare.

Në total në llogaritë e 5 mijë personave në vënë në shënjestër ishin rreth 50 milionë euro, të planifikuara për tu grabitur.  Krimi Kibernetik ka rënë në gjurmët e grupit të kinezëve nëpërmjet monitorimit të vazhdueshëm të "darkweb" dhe burimeve të hapura në internet, të cilat pasi janë verifikuar kanë çuar në identifikimin e 2 kinezëve.

Si rezultat, u çel një procedim me metoda speciale hetimi, i cili përfundoi me sukses. Hetimi është në vijim dhe nuk përjashtohet mundësia të ketë edhe bashkëpunëtorë të tjerë.