Një konflikt i ashpër ka ndodhur në parkimin e ‘Syrit të Kaltër’ në Sarandë, ku disa persona kanë dhunuar me sende të forta administratorin e një biznesi që jep biçikleta me qira.
Lidhur me ngjarjen, Policia ka njoftuar se ka arrestuar një 43-vjeçar, ndërkohë që janë proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe tre persona të tjerë, të përfshirë në konflikt.
Më herët, avokati Arben Llangozi publikoi disa pamje nga dhuna, teksa pretendonte se administratori i biznesit ishte qëlluar me gur në kokë.
Njoftimi i Policisë:
Sarandë-Konfliktohet dhe godet me sende të forta administratorin e një subjekti që jep biçikleta me qira për lëvizje brenda parkut, arrestohet në flagrancë 43-vjeçari.
Procedohen penalisht 3 shtetas të përfshirë në konflikt, mes tyre dhe administratori i subjektit.
Salla Operative e Komisariatit të Policisë Sarandë ka marrë njoftim për një konflikt në parkimin e "Syrit të Kaltër". Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë shoqëruar në komisariat të gjithë personat e përfshirë.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se, rreth orës 12:00 të ditës së sotme, në vendin e quajtur "Parkimi i Syrit të Kaltër", gjatë një konflikti për pagesën e dëmit të shkaktuar nga humbja e çelësit të një biçiklete, shtetasi A. H., 43 vjeç, ka goditur me sende të forta shtetasin A. L., 27 vjeç, administrator i subjektit, i cili ka pësuar dëmtime (fraktura) dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga hetimet dyshohet se në konflikt janë përfshirë edhe shtetasit A. H., 45 vjeç, S. Ç., 20 vjeç.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, shtetasi A. H., 43 vjeç, banues në Kamëz, u arrestua në flagrancë për veprat penale "Plagosja e rëndë me dashje" dhe "Prishja e qetësisë publike".
Ndërsa shtetasit A. H., 45 vjeç, banues në Kamëz (vëllai i të arrestuarit), S. Ç., 20 vjeç, banues në Dërmish, Finiq, dhe A. L., 27 vjeç, banues në Stjar, Delvinë, administrator i subjektit, u proceduan në gjendje të lirë për veprat penale "Plagosja e lehtë me dashje" dhe "Prishja e qetësisë publike".
Komente










