Plas sherri për dekoratat
Mesila Doda akuza Nokës 

Plas sherri për dekoratat<br />Mesila Doda akuza Nokës 
Rindizet debati për fatin e dekoratave të Enver Hoxhës, ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit dhe disa antifashistëve të parë. Ka mjaftuar një deklaratë e nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka, për Shqiptarja.com, për dërgimin për interpretim të projektligjit të dekoratave në Këshillin e Legjislacionit, që të rinisin polemikat për dekoratat. Deputetja Mesila Doda i ka dërguar dje një letër kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, duke i kërkuar një hetim serioz për çështjen e bllokimit të projektligjit për dekoratat.

“Kërkoj që të kryeni një proces hetimi serioz për këtë çështje, pasi nënkryetari i Komisionit të Sigurisë dhe përfaqësuesi i opozitës, z. Flamur Noka ka deklaruar publikisht se e kanë kthyer nismën, pasi mendonin që duhet të jetë Komisioni i Ligjeve që duhet ta shqyrtojë dhe jo Komisioni i Sigurisë, jo për anti-kushtetutshmëri”, thuhet në letrën e zonjës Doda.

Dyshimet  

Deputetja  ka shprehur dyshime për falsifikim të dokumentit ose për mashtrim të deputetit, Flamur Noka. “Në të vërtetë në dokumentin e përcjellë për Këshillin e Legjislacionit dhe firmosur nga Kryetari i Komisionit, z. Spartak Braho, është kërkuar mendim sepse nisma quhet a-priori si antikushtetuese, ndaj ose shkresa e nisur nga kryetari Braho ka brenda edhe mendimin e opozitës dhe janë dakord si mazhoranca dhe opozita për ta quajtur nismën si antikushtetuese ose përndryshe është falsifikuar mendimi i opozitës për këtë çështje.

Mendoj se një transparencë dhe hetim më i imtësishëm do na ndihmonte ne nismëtarët dhe gjithë opinionin publik të kuptonim më qartë nëse gënjen publikisht z. Flamur Noka, apo ka falsifikuar opinionin e opozitës z. Spartak Braho”, shkruan Doda.

Kompetenca

Sipas Mesila Dodës kjo nismë nuk mund të ishte objekt vetëm i Komisionit të Sigurisë, pasi në të gjitha rastet e mëparshme, kur ky ligj është rishikuar, ka qenë objekt i punës së Komisionit të Ligjeve, dhe për marrje mendimi është kërkuar opinioni i Komisionit të Sigurisë dhe Komisionit të Çështjeve Sociale. “Kjo për faktin se nisma nuk prek vetëm titujt dhe dekoratat për ushtarakët apo forcat e rendit, por trajton në thelb çështjen e dekorimit dhe meritës që individi duhet të tregojë përgjatë gjithë aktivitetit të tij.

Së dyti, Në kohën që Komisioni i Sigurisë ka bërë shqyrtimin e nismës dhe ka çuar nismën ligjore për mendim në Këshillin e Legjislaturës, (Këshill, i cili ka pesë vite pa u mbledhur), nuk është bërë lajmërimi i asnjërit prej deputetëve nismëtarë në Komision dhe kjo përbën një thyerje dhe shkelje të Rregullores së Kuvendit”, shkruan Doda.

Bashkimi i nismave

Deputetja Mesila Doda ka kërkuar edhe një bashkim të dy nismave, pra bashkim me nismën e kryeministrit Edi Rama dhe deputetit, Taulant Balla. “Së treti, në të gjitha rastet kur paraqiten dy nisma ligjore me të njëjtin objekt, shqyrtimi i tyre bashkohet dhe trajtohen si një proces i përbashkët. Ju kujtoj këtu se i njëjti standard është ndjekur edhe në rastin e amendimit të Kodit Penal, por edhe në “Ligjin e hapjes së dosjeve”, kur ishte një situatë e ngjashme pasi ashtu si në këtë rast pati nisma paralele nga ekzekutivi dhe legjislativi”, shkruan Doda.

Dy standarde

Deputetja mendon se Komisioni i Sigurisë po operon me dy standarde. “Kjo do të thotë që edhe nëse komisioni përgjegjës do kërkonte mendimin e Këshillit të Legjislacionit për anti-kushtetutshmëri të nismës tonë, do duhej të kërkonte dhe të kryente të njëjtën procedurë edhe për nismën e deputetëve Rama e Balla dhe jo të krijonte dy standarde në trajtimin e tyre”, thuhet në letrën e zonjës Doda. Në fund të letrës së saj, zonja Doda ka shprehur edhe një mesazh.

“Kjo shoqëri duhet të distancohet nga krimi dhe kriminelët e vjetër e të rinj, nëse modeli që duam të mbjellim e të rrisim në këtë vend është ai i paqes, respektit dhe dashurisë për njëri-tjetrin, i qëndresës dhe kërkimit të vazhdueshëm të së vërtetës dhe respektimit të dinjitetit e të qenies njerëzore”, shkruan Zonja Doda.
 
 
 
Bashkëpunimi
Doda: Të bashkëpunojmë për dekoratat

 
Deputetja Mesila Doda ka kërkuar dje bashkëpunim mes palëve për të miratuar një ligj për çështjen e dekoratave. “Në kushtet që nisma jonë shërben për një qëllim të mirë dhe që kërkon vendosjen e një balance dhe kohezioni moral dhe njerëzor në vend, mirëkuptojmë edhe faktin që nisma jonë shërben si model inspirimi dhe si rrugëzgjidhje, megjithëse do ishte më e udhës që në vend të ndërtimit të nismave paralele të kërkohej thjesht bashkëpunimi ynë për të gjetur zgjidhje të përshtatshme për çështje të tilla që kanë një rëndësi jetike për demokracinë dhe që kërkojnë të ndajnë vendin nga një e kaluar kriminale”, thotë Doda.
 
 
 Raporti, nisma e Dodës anti-kushtetuese
 
Dekoratat, ja e vërteta e bllokimit të projektligjit

 
Debati për dekoratat, titujt dhe medaljet nisi pas dekorimit të Shyqyri Çokut, i cilësuar si xhelat i diktaturës. Opozita tentoi ta kthente në kauzë këtë çështje, ndërsa paraqiti edhe një rezolutë në Kuvend. Por, mazhoranca ndërmori një lëvizje, duke e djegur rezolutën e Partisë Demokratike. Kryeministri Edi Rama dhe deputeti Taulant Balla propozuan një amendament për heqjen dhe disiplinimin e dhënies së dekoratave. Kështu, rezoluta e PD ezaurohej në nismën e Ramës dhe Ballës. Ndërkaq, krahas kësaj nisme, deputetët Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda paraqitën një tjetër projektligj, deri diku me objekt të njëjtën me nismën e Ramës dhe Ballës.

Në të njëjtën kohë, Mesila Doda paraqiti edhe një amendament në Parlament për dekomunistizimin. Ky amendament, përpos të tjerëve, parashikonte dhe përjashtimin e Sali Berishës. Gjithsesi, nisma u rrëzua me votë. Sa i takon dy projektligjeve për dekoratave, të dy palët kanë shprehur mungesë vullneti për të mos i miratuar. Fillimisht, Komisioni i Sigurisë, për disa javë me radhë, nuk mori asnjërën nga nismat në shqyrtim, me argumentin se projektligjet duhet që të shqyrtoheshin nga Komisioni i Ligjeve.

Më pas, Komisioni i Sigurisë vendosi që të çonte për interpretim në Këshillin e Legjislacionit projektligjin e propozuar nga Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi, me argumentin se ishte antikushtetues. Këshilli ende nuk ka marrë një vendim për këtë çështje. Nga ana tjetër, nisma e propozuar nga Edi Rama dhe Taulant Balla nuk është marrë ende në shqyrtim nga Komisioni i Sigurisë.
 
Interpretimi

Komisioni i Sigurisë vendosi që të çonte për interpretim në Këshillin e Legjislacionit projektligjin e propozuar nga Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi, me argumentin se ishte antikushtetues.

Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Protesta e PD/ Ngjela për Report Tv: Berisha duhet të ikë, nuk ka mbështetje! Krijon dhunë se s’ka masivitet

Protesta e PD/ Ngjela për Report Tv: Berisha duhet të ikë, nuk ka mbështetje! Krijon dhunë se s’ka masivitet