Njëjtë si Ministrja Virtuale Diella, për Sali Berishën edhe platforma “Pasqyrë Albania” nuk do të ketë asnjë efekt pozitiv në shërbim të qytetarëve. Madje, sipas kryedemokratit, ajo është një strategji e re mashtrimi.

“Ky është i marrë fund. Ndaj dhe beson se me këto Pasqyrat, Diellat, do mund të mashtrojë shqiptarët. Zinxhiri i mashtrimeve të tij ka marrë fund. Asgjë, ai është një mur, një perde që kërkon t’u vërë para syve të qytetarëve se gjoja po komunikojnë në një kohë kur ka zero të vërtetë brenda. Por do vjedhin. Prapë është vjedhja. 6 milionë vodhën për Diellën, edhe këtu do vjedhin nja 4-5 milionë. Vjedhja nuk ka të ndalur aty. E vetmja gjë që 24 orë në 24 nuk ndalet, është vjedhja tek ata”, tha Berisha. 

Në konferencën për mediat, kryedemokrati Berisha tha se në vend të ndryshimeve të mundshme në qeveri, Rama duhet të japë dorëheqjen.

"Mendoj se me asgjë, me asnjë ndryshim të saj, nuk mund të mashtrojë qytetarët shqiptarë. Zgjidhja e vetme e kësaj krize të frikshme që po përpin vendin, është dorëheqja dhe largimi i tij i menjëhershëm nga detyra", vijoi Berisha. 

Sezoni i ri politik do të vijë me ndryshime edhe për demokratët. 3 ditë pas Ramës, edhe Berisha do të mbledhë të tijtë në Këshillin Kombëtar për të bërë ndryshime në strategjinë e partisë, ku dixhitalizimi dhe rritja e performancës në rrjetet sociale do të jenë prioritet.

"Do jenë të gjitha standardet ndërkombëtare të përdorura nga partitë më demokratike në Evropë dhe në botë, të cilat nuk synojnë as kryqëzimin, as përjashtimin, por synojnë para së gjithash hapësirën në të cilën secili të tregojë veten me veprimtarinë e tij. Është një proces i thellë transformues i kësaj partie. Partia duhet të ndryshojë dhe do të ndryshojë. Ky ishte verdikti i Kuvendit kombëtar me votimin e tij, me forumet që zgjodhi, por ai është vetëm hapi i parë. Ky është një proces që duhet të vazhdojë", u shpreh Berisha.