TIRANË – Në prag të fillimit të sezonit turistik, kryeministri Berisha mblodhi në një takim prefektët dhe drejtuesit e këshillave të qarqeve. Një prej problemeve të ngritura prej tij, ishte ndotja e mjedisit nga plehrat. Kryeministri u bëri thirrje autoriteteve të qeverisjes vendore të përcaktojnë gropat për grumbullimin e plehrave në zonat e tyre, në mënyrë që të sigurohet pastrimi i të gjithë vendit nga plehrat e hedhura kuturu.
”Duhet të praktikojmë ndërhyrjet emergjente dhe ato më emergjente. Dhe këto janë përcaktimi i vendndodhjeve ku do të hidhen mbetjet, ripozicionimi i tyre. Nuk ka pamje më të shëmtuar se figura që krijon Kryetari i Bashkisë kur anës rrugëve të qytetit të tij ka mbetje”, deklaroi kryeministri.

Berisha tha se për shkak të zhvillimit, sot sasia e mbetjeve është 10 apo 15 herë më e madhe se disa vite më parë, andaj sipas tij, gjetja e gropave për hedhjen e plehrave është thelbësore për një mjedis të pastër.

“Qeveritarë vendorë në bashkëpunim me agjencinë e Ministrisë së Mjedisit, Ministrinë e Punëve Publike do të përcaktoni për çdo komunë zonën e vendhedhjes së plehrave, ndërkohë do të bëjmë gjithçka qoftë për krijimin e landfilleve qoftë për krijimin e impianteve për djegien e tyre. Por kjo është shumë e vështirë për Peshkopinë, apo Kukësin. Pra gjetja e gropave për vendosjen e plehrave është thelbësore”, deklaroi kreu i qeverisë.

NDËSHKIMI
Kryeministri i kërkoi qeveritarëve vendorë të jenë të parët që do të respektojnë ligjin duke dërguar për ndjekje penale ndotësit e mjedisit.
“Ne kemi shpallur datën 20 prill, ditën e Shqipërisë së pastër. Në datën 20 prill zonat më të ndotura do të jenë zonat më të pastra të vendit. Ministria e Mjedisit do t’u japë fotot dhe hartat dhe ju duhet të ndërtoni të gjithë planin e veprimit që këto të mos ekzistojnë më. Këtë ditë do mobilizohet e tërë shoqëria, e tërë administrata, shkollat, për t’i bërë një pastrim të merituar ambientit. Duhet ta marrim me seriozitetin më të madh dhe përparësinë më absolute”, tha Berisha.

(aq/shqiptarja.com)