Një zgjidhje e përkohshme është gjetur për plehrat e Durrësit. 'Ne kemi marrë një zgjidhje të përkohshme nga qeveria shqiptare për evadimin e mbetjeve nga Durrësi, duke qenë se Porto Romano është mbyllur dhe kemi një projekt ambicioz atje për t'u kthyer në park. Bashkia dhe qarku Durrës do të ndërmarrin hapat ligjorë për hartimin e planeve të studimit në mënyrë që këto plane të na japin rezultatet finale se cfarë do të ndodhë me mbetjet e Durrësit" tha kryetarja e bashkisë së Durrësit Emirjona Sako.

Bashkia e qytetetit bregdetar është ende duke gjetur një zgjidhje se cili do të jetë fati i mbetjeve urbane thotë kryebashkiakja e Durrësit. "Që do të thotë se do të kemi një landfill të ri në Durrës apo do i dërgojmë në Sharrë".

Në të dyja variantet do të jetë qeveria ajo që do të mbulojë një pjesë të mirë të shpenzimeve. "Ne do të kërkojmë sërish fonde te qeveria, pasi bashkia nuk ka mundësi që edhe një landifll të vetin ta bëjë vetë, por do të kemi një bashkëpunim. Besoj se brenda 6 muajve do të kemi një konkluzion" tha ajo.

Këtë të enjte do të zhvillohet mbledhja e këshillit bashkiak ku do të miratohet prishja e 12 objekteve. Pritet që të miratohet edhe procedura e rimbursimit të banorëve banesat e të cilëve kanë rezultuar DS2 dhe DS3 me qëllim nisjen e riparimit të banesave të dëmtuara.