Procesi që pason menjëherë pas vdekjes nuk është kurrë i këndshëm. Në fakt, kur e mendon tani, në një gjendje të shëndoshë fizike dhe mendore, është e tmerrshme ideja e të varrosurit, apo e të djegurit të trupit për t’u futur më pas në kuti të vogla e për t’u groposur. 

Kjo ishte dhe arsyeja pse Grace Seidel, shkrimtarja dhe artistja 55-vjecare nga Siatëll, Amerikë, mori një vendim shumë miqësor për trupin e saj pas vdekjes. Ajo ishte kategorikisht kundër djegies apo varrosjes dhe I konsideronte këto si tortura që i bëhen trupave të pajetë. Dhe kështu lindi ideja e Projektit Urban të Vdekjes. 

Ky projekt bazohet në një process dekompozimi të sigurtë që ka si rezultat përfundimtar kthimin e trupit në materiale organike që janë pjesë përbërëse e tokës. Gjithashtu projekti konsiderohet si zgjidhja ideale për mbipopullimin e varrezave dhe një ritual i ri më i përshtatshëm, që të dashurit tanë të pushojnë të qetë. 

Procesi ndodh në disa faza. Fillimisht i ndjeri do të futet në dhoma frigoriferike për rreth 10 ditë. Më pas të afërmit mund të kryejnë ceremoninë mortore dhe ta mbështjellin trupin me një carcaf kur do të bëjnë dhe përshëndetjet e fundit. Trupi do të bashkohet më pas me një përzierje materialesh drunore dhe tallash druri ku do të ndodhë procesi final i dekompozimit në një peridhë 1-mujore.

Në përfundim të kësaj periudhe trupi do të jetë plotësisht i dekompozuar në material organik që do t’i jepet pjesërisht të afërmve dhe pjesa tjetër do të shpërndahet në ambientet publike të qytetit, në trajtën e plehut organik. Masa organike e krijuar konsiderohet e shenjtë, jo vetëm për prejardhjen e saj, por edhe për potencialin e madh: një trup i pajetë mund të prodhojë jetë.

Redaksia Online
(m.p/shqiptarja.com)