Janë piktura dhe skulptura, të cilat ndërthuren në një dialog unik dhe të gjitha kanë në qendër të tyre plisin apo qeleshen. Të sjella në frymë bashëkohore, këto vepra arti trajtojnë elementë si gdhendja në dru, vaji akrilik dhe linoleumi, në një frymë bashkëkohore me rrënjë folklorike.
“Jam shumë e lumtur që Galeria e Artit Tiranë po mbështet gjithnjë e më shumë artistët shqiptarë. Propozimi i Eduartit ishte ndër më të veçantët dhe puna e tij mbi simbolin e plisit është vërtet mbresëlënëse.”, tha drejtuesja e GAT, Edit Pula.
Për artistin Eduart Karaj, ky projekt lidhet ngushtë me festën e Pavarësisë dhe me figurën fisnike të të parëve tanë, ndërsa për të plisi, më shumë se simbol është kujtesë, trashëgimi dhe frymëzim.
“Që nga kohët më të hershme deri në shekullin XIX, ky lloj simboli, pra plisi, me të cilin neve në një farë mënyre dhe identifikohemi në të gjithë popujt e tjerë, është përdorur masivisht. Dhe mua nuk është se më ka bërë përshtypje vetëm pjesa e aureolës, pra e plisit, ose qeleshes, me atë pjesën e bardhë, me atë fisnikërinë. vërtetë mund të ketë pasur njerëz të cilët janë shtypur, kanë pasur varfëri apo kanë pasur shtypje nga okupatorë të ndryshëm, por kanë qenë shumë fisnikë.”, tha Karaj.
Nëpërmjet portreteve të pleqve me mustaqe dhe aureolës së bardhë të plisit, Karaj sjell në vëmendje virtytet e lashta shqiptare, si: besa, fisnikëria dhe burrëria, duke i përkthyer në një gjuhë vizuale moderne. “Plisi” qëndron e hapur në Galerinë e Artit Tiranë, duke ftuar publikun të reflektojë mbi rrënjët dhe identitetin kombëtar përmes artit bashkëkohor.
Komente












