PLL, Gjana‏: Spahiun e munda 
​me vota, ai përpiqet me kulisa

PLL, Gjana‏: Spahiun e munda <br />​me vota, ai përpiqet me kulisa
Beteja politike në Partinë Lëvizja e Legalitetit është zhvendosur në media. Pas deklaratës së ish-kreut të PLL, Ekrem Spahia i cili shprehej se kur kishte mësuar për përjashtimin nga partia kishte kujtuar se ishte 1 prilli e vlerësonte se Sulejman Gjana nuk është i denjë për kreun e PLL. Ky i fundit ka reaguar sot duke theksuar se përjashtimi i Spahias ka ardhur pasi ka tentuar ta rrëzojë nga kreu i partisë.

Deklarata e kreut të PLL, Sulejman Gjana  
Pas përjashtimit të tij nga Partia “Lëvizja e Legalitetit” z. Ekrem Spahiu ka bërë një reagim publik ku aludon se autori i përjashtimit të tij nga PLL është kryetari i PLL.
 
Në lidhje me këtë pikë dua të sqaroj shkurt se zotin Ekrem Spahiu e kam mundur me votë në Kuvendin e XVIII të PLL, kur ai ishte kryetar në detyrë dhe kur këmbëngulte më çdo mjet që të rizgjidhej përsëri. Për këtë fakt, por edhe për plot arsye të tjera, asnjëherë nuk më ka shkaktuar bezdi ambicia e tij për të rimarrë drejtimin e PLL. Statuti i PLL e përcakton qartë se si mbaron mandati i kryetarit dhe çdo tentativë kulisash është e destinuar që të dështojë.
 
Në reagimin e tij z. Spahiu përpiqet që të krijojë një tymnajë sikur 31 degë të PLL kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit të saj. Në respekt të dinjitetit të nëpërkëmbur të PLL, por edhe të publikut që është njohur me përçartjet e z. Spahiu, po tregojmë të vërtetën e kësaj ngjarjeje sipas dëshmive të pjesëmarrësve, analizës në Kryesinë e PLL por edhe nga konsultimet me faktorë që kanë ndikim në PLL. Kjo e vërtetë do të hedhë dritë edhe për shkaqet se pse Senati e ka përjashtuar z. Spahiu nga radhët e PLL.
 
Në funksion të qëllimeve të tij që minimalisht po i quaj ambicie për të rimarrë drejtimin e PLL, z. Ekrem Spahiu ka shkuar personalisht në disa qytete të Shqipërisë, ku në rrugë informale ka kërkuar prej kryetarëve dhe sekretarëve të degëve të PLL që të nënshkruanin një dokument të përpiluar po prej tij, e ku, gjoja në emër të degëve, kërkohej dorëheqja e Kryetarit të PLL. Për të bindur personat e kontaktuar që të nënshkruanin atë dokument, z. Spahiu ka përdorur taktika të ndryshme, duke filluar nga: manipulimi i fakteve; përdorimi i shpifjeve; prezantimi me gojë i një përmbajtjeje të ndryshme nga sa ishte shkruar në letër; herë joshjet e herë kërcënimet dhe duke përfunduar deri në implikimin e LTM Princit Leka II sikur gjoja ajo ishte një lëvizje e rekomanduar prej Tij. Pavarësisht refuzimit me shumicë nga personat e kontaktuar, për të përmbushur qëllimet e tij, z. Spahiu ka marrë firma nga disa persona të tjerë që nuk kanë asnjë lidhje me strukturat drejtuese lokale të PLL dhe i ka paraqitur ato si kryetar apo sekretar degësh, pavarësisht se për shkak të detyrës së mëparshme ai e dinte mjaft mirë se kush ishin ata. Synimi i z. Spahiu për të grumbulluar sa më shumë firma dhe për t’i paraqitur ato si rebelim ndaj kryetarit është mjaft i qartë.  Më vonë, sipas parimit “hidh gurin e fshih dorën” z. Spahiu nxiti që të dilnin në një konferencë për shtyp disa persona, që për hir të së vërtetës ishin ithtarë të tij.
 
Të gjitha sa më lart janë shkelje të pastra të Statutit të PLL e që kanë dëmtuar imazhin e saj. Por partia “Lëvizja e Legalitetit” është shëndoshë e mirë!
 
Nga verifikimi i listës së nënshkruesve rezulton se 28 persona nuk kanë asnjë lidhje me funksionet e pretenduara dhe rrezikojnë që të kallëzohen penalisht “për marrje titulli ose detyre që nuk i përket”.
 
Kryesia e PLL gjeti se vetëm 9 persona nënshkrues ishin në funksione reale si sekretar dege dhe në bazë të kompetencave të saj i shkarkoi nga detyra e sekretarit pavarësisht faktit të marrjes së nënshkrimit me mashtrim apo pendesës së shfaqur. Arsyeja e shkarkimit të tyre është e qartë: veprimi i tyre ka qenë në shkelje të Statutit të PLL.
 
Paragrafi i mësipërm është shembull i qartë për të kuptuar se ku fillon e ku mbaron kompetenca e Kryetarit dhe e Kryesisë së PLL lidhur me masat disiplinore. Fakti që z. Spahiu përjashtimin e tij nga PLL ja faturon Kryetarit të partisë është pikëllues kur mendon se për 15 vjet jemi drejtuar nga një kryetar që nuk ka njohur Statutin e partisë së vet.
 
Neni 46 i Statutit të PLL përcakton qartë se organi kompetent për masat disiplinore është Senati i Veteranëve i cili është garant i Statutit dhe ka tagrin të garantojë zbatimin e vijës politike dhe idealit zogist.
 
Në këtë kuadër, Kryetari i Senatit z. Skënder Zogu i është drejtuar Kryesisë së Senatit në mënyrë formale ku e konsideron përpjekjen e z. Spahiu si “një tentativë puçi”, “shkelje e rëndë politike dhe statutore”, “akt i turpshëm dhe një komplot i shtyrë nga jashtë rrethit të zogistëve dhe që nuk ka ndodhur asnjëherë deri më sot”.  Në letrën e tij, z. Skënder Zogu thekson se “pavarësisht se i kam thënë me telefon (z. Ekrem Spahiu) se kjo përpjekje është e papranueshme, ai po vazhdon me përpjekjet e veta”. Z. Skënder Zogu deklaron gjithashtu se “Senati i veteranëve siguron legjitimitetin e Kryesisë së partisë të zgjedhur lirisht dhe demokratikisht në Kongresin e 18-të të vitit 2013”. Në vazhdim, z. Skënder Zogu i propozon Kryesisë të Senatit që të bashkohen në një vendim të rëndësishëm për përjashtimin e z. Ekrem Spahiu nga partia “Lëvizja e Legalitetit”. Pas kësaj, Kryesia e Senatit të Veteranëve ka organizuar një mbledhje të posaçme më dt. 17 Shtator ku në mënyrë unanime ka vendosur për përjashtimin e z. Ekrem Spahiu nga PLL. 
 
Për shkak të përvojës së tij të mëparshme, z. Spahiu e di fort mirë se vullneti i Senatorëve të Legalitetit është sovran  e i pamanipulueshëm dhe unë i shpreh atij keqardhjen time për faktin se vendimi i tyre është edhe i paapelueshëm. 
 
Pavarësisht se në prononcimin e tij z. Spahiu është shprehur me tone aspak miqësore ndaj meje, unë e mirëkuptoj pozitën e tij dhe i uroj çdo të mirë dhe suksese në jetën e tij private.
 
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Përplasja e opozitës me gardën jashtë parlamentit/ Balla: Përsërisin marrëzitë e tyre! Po i marrin shqiptarët për budallenj, ndodh sa herë jemi afër BE-së

Përplasja e opozitës me gardën jashtë parlamentit/ Balla: Përsërisin marrëzitë e tyre! Po i marrin shqiptarët për budallenj, ndodh sa herë jemi afër BE-së