TIRANE- Babai i kreut të PS-së së Prezës u plagos në këmbë mbrëmjen e djeshme, teksa ndodhej në fshatin e tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 2.00, në Fushë-Prezë të Tiranës dhe është plagosur Shefqet Kajmaku, 55 vjeç, babai i kreut të PS të Prezës, Vladim Kajmakut. Paraprakisht policia dyshon se kanë qenë dy persona të cilët e kanë qëlluar 55-vjeçarin, por ende s’ka ndonjë emër konkret. Policia e Tiranës është duke hetuar në dy pista. Pista e parë është ajo e një sherri të momentit, ndërsa nuk përjashtohen edhe sulmet që i janë bërë më parë ndaj familjes Kajmaku.

Deri më tani mësohet se policia ka një person të dyshuar në lidhje me ngjarjen, por për efekt hetimi është bërë i ditur emri i tij. Shefqet Kajmaku u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak, në sallën e Traumës, pasi ishte plagosur në këmbë. Menjëherë i është nënshtruar një operacioni, ndërsa sipas mjekëve gjendja e tij shëndetësore ishte e mirë. Momentalisht Kajmaku është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, për t’i dhënë mbështetje familjes Kajmaku, në Spitalin Ushtarak kishin mbërritur edhe deputetët e PS-së, Pjerin Ndreu dhe Artan Gaçi. Vetë kryetari i PS-së së Prezës, Lavdim Kajmaku nuk pranoi të jepte ndonjë prononcim nga Spitali Ushtarak për gazetën “Shqiptarja.com” apo kamerat e “A1Report”, me arsyetimin se familja po priste rezultatet e punës së policisë për të zbardhur ngjarjen.

Konfliktet me Halilët
Më 23 maj rreth 7 vatra zjarri dyshohet se iu vunë qëllimisht në biznesin e tij, ndërsa një në banesën e tij. Në momentin e shpërthimit të flakëve në banesë ishte djali dhe bashkëshortja. Më 25 maj iu dogjën dy makina, dhe kanë tentuar të djegin shtëpinë me benzinë. Ata janë ndjerë nga i ati i Lavdimit i cili ka dalë jashtë, dhe në këtë moment në drejtim të tij është shtënë me breshëri armësh. Fatmirësisht ai nuk është plagosur. Nga ana tjetër policia deklaroi zyrtarisht se “janë djegur pjesërisht edhe dy automjete tip “Benz“ me targe TR 9696 N dhe tip “Ford“ me targë AA 025 CZ, ndërkohë që në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 25 gëzhoja automatiku model 7.62 mm, 2 predha dhe 2 bidonë plastike me lëndë djegëse.

Ndërkohë, bazuar në thëniet përgjatë deklarimeve të dhëna në strukturat e Policisë të të dëmtuarve Shefqet, Agim dhe Landi Kajmaku, theksojnë në një konflikt të nisur rreth 10 ditë më parë me të afërmit e tyre Ramazan Halili të cilët janë njëkohësisht edhe djemtë e tezes së tij, ku konflikti ka nisur për motive të dobta dhe më pas të dy palët kanë kaluar në fyerje të ndërsjellta”. Familja Halili është angazhuar me Partinë Demokratike. Pak ditë pasi kishte ndodhur ngjarja, Lavdim Kajmaku ka deklaruar se dëmi i shkaktuar shkon në 200 mijë euro, por thotë se siguria e jetës së familjarëve ndaj të cilëve u lëshua dhe breshëria e plumbash është primare, ndërsa policia ruajti banesën për disa javë.
 
Shkrimi u publikua sot (19.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)