Plumbat në gjimnaz, Drejtoria:
U zunë për gjëra të kota

Plumbat në gjimnaz, Drejtoria:<br />U zunë për gjëra të kota
TIRANE-Redi Qoshja, ( ne foto) maturant te gjimnazi "Ismail Qemali" është plagosur dje me armë zjarrë. Plumbi që e ka kapur në dorë, është shkrepur nga 16 vjeçari B.P, të cilin Qoshja e kishte rrahur me grushta. Sherri duket se ka nisur për një vajzë, por drejtoresha e shkollës, Vojsava Thanasi, na jep një tjetër version të kësaj ngjarjeje. Mësohet se po negociohet me prindërit e 16-vjeçarit që ai të dorëzohet.

 
Duket se dy të rinj, kanë kohë që kanë konflikt me njëri-tjetrin. Disa nxënës të shkollës "Ismail Qemali', na thonë se gati një javë më parë, dy të rinjtë janë kapur me grushte në një lokal pak mbi shkollën, derisa i ka nxjerrë pronari jashtë. Ndërsa një ditë para se të ndodhte ngjarja e rëndë, Regi Qoshja, së bashku me disa shokë të tij, e ka rrahur me grushte 16-vjeçarin me inicialet B.P që është në vitin e dytë të po këtij gjimnazi. Në shenjë hakmarrje, 16 vjeçari i ka zënë dje pritë Qoshes, dhe pasi fillimisht janë konfliktuar fizikisht, e ka plagosur me armë zjarri në dorë rreth orës 08:30 të mëngjesit. Ndërsa 16 vjeçari është shpallur në kërkim dhe mësohet se organet e policisë po negociojnë me prindërit e tij që ai të dorëzohet vetë. Ndërkohë drejtoresha e këtij gjimnazi, Vojsava Thanasi, në një intervistë për "Shqiptarja.com" na jep një tjetër version të kësaj ngjarjeje. Ajo thotë se dy të rinj nuk kanë pasur konflikte më parë me njëri-tjetrin, ata ishin nxënës të mirë dhe pa probleme në sjellje.

Drejtoresha, a jeni në dijeni se si ka nisur sherri mes dy të rinjve?
Unë në fakt komunikova edhe me Regin dhe ai më tregoi se gjithçka ka nisur një ditë më parë. Sipas Regit, gjithçka ka nisur një ditë më parë, kur kanë qenë duke dalë nga shkolla. Dy të rinjtë janë konfliktuar për motive të dobëta. Djali tjetër i ka thënë "Përse më shikon ashtu", dhe me tej janë kapur me fjalë. Siç e kanë të rinjtë që zihen për gjëra të kota. Kaq ka qenë dhe sot më pas ka ndodhur edhe plagosja me armë.

Si është me shëndet 18-vjeçari?
Mirë është, ai aktualisht ndodhet në shtëpi. Për fat të mirë nuk ka asgjë serioze. Unë sapo fola me të.

A kanë qenë tipa problematikë më parë dy të rinjtë?
Jo. Më parë unë nuk kam pasur asnjë ankesë për asnjërin prej tyre. Nuk është se janë tipa të qetë, por janë fëmijë normalë, por që nuk na kanë sjellë kurrë më parë probleme.

Pas ngjarjes së sotme ju keni takuarshokët përkatës të të dyve, çfarë ju thanë?
Edhe ata më thanë të njëjtën gjë që më tha Regi (Regi Qoshja, i plagosuri), që sherri ka nisur një ditë më parë, për një gjë shumë të parëndësishme.
Pra, nuk është e vërtetë që dy të rinjtë janë konfliktuar për një vajzë?
Jo, jo! Të paktën mua askush nuk ma ka thënë këtë gjë.
Po me mësimet si janë këta dy të rinj?
Unë i njoh shumë mirë të dy. Dhe janë që të dy nxënës mesatar. Nuk janë as të dobët, po as shumë të mirë.

Duke qenë se ju drejtoni një shkollë të madhe, a keni shpesh konflikte mes të rinjve?
Edhe ndodh të ketë zënka, por ne gjithmonë përpiqemi që të krijojmë një frymë të mirë mes të gjithëve. Edhe kur ka përplasje ne i këshillojmë dhe u qëndrojmë pranë që të mos e përsërisin sërish.

Po prindërit a vijnë e interesohen për fëmijët e tyre, këtu e kam fjalën më tepër për djemtë, pasi prindërit e vajzave janë më të interesuar?
Po edhe me prindërit kemi kontakte të vazhdueshme. Edhe në rastet kur ata nuk vijnë dhe i kanë fëmijët problematikë, i njoftojmë vetë.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Caktimi i datës së zgjedhjeve në Kosovë, Kurti nuk i shkon në takim Vjosa Osmanit! Presidentja: Mund ta pyesni atë, supozoj se është në zyrë

Caktimi i datës së zgjedhjeve në Kosovë, Kurti nuk i shkon në takim Vjosa Osmanit! Presidentja: Mund ta pyesni atë, supozoj se është në zyrë