Po, ata dhe ato gazetare janë 
bijtë dhe bijat e Edi Ramës

Edi Rama zgjodhi formatin e Arian Çanit për t’u shfaqur para shqiptarëve cinik, autoironik dhe tallës. Pranoi që Çani ta thërriste si shok burgu « Rame » dhe nuk emocionohej fare kur Ariani e trajtonte si « lac » dhe si në ekstazë i thoshte që « je i madh » dhe se monologu me gazetarët, kur ai sillej me ta si të ishin fëmijë kopshti apo si të ishte në një takim me prindërit, i kishte pëlqyer.

Në një moment sinqeriteti tha se ata ishin si fëmijët e tij, të cilët nuk mund ta shnatazhonin. Pranoi edhe inskenimin e prokurorit e shumë gjëra të tjera që atij formati i shkojnë sepse ashtu e ka konceptuar Çani, si një parakalim të « trash »-it shqiptar.

Dhe, ashtu, në formatin « trash » Rama vërtet shkëlqen. Por mua më mbeti mendja të fëmijët-gazetarë me të cilët ai u soll ashtu siç sillen prindërit në takimin me mësuesit, pra ashtu siç prindërit marrin rolin e moralizuesit dhe të yllit polar dhe i nxijnë fëmijët kur mësuesi u tregon rezultatet e dobëta dhe sjelljen e gabuar.

E vetmja pyetje që mund të bëhet në këtë rast është kjo : ai nivel i atyre gazetarëve të kronikës është i tillë në raport me çfarë ? Pra cili është në këtë rast kriteri matës, ai që vlerëson dhe çmon nëse ata gazetarë janë vetëm tela bakri që përcjellin « broçkullat » e pavërteta të shefave?

Nëse do të pranojmë që kriteri për të vlerësuar aftësitë e atyre gazetarëve qënka Edi Rama atëhere duhet të pyesim nëse e ka shpallur veten kriter të së vërtetës si Kryministër i këtij vendi, si publicist apo si intelektual? Në fakt, në të gjitha rastet ai ka të drejtë. Është fakt që gazetaria shqiptare, letërsia, kultura, media në tërësi ka formën dhe sëmundjet e Edi Ramës.

Ajo është agresive siç është Rama me gjithë ata që nuk e përfillin atë si intelektualisht normal, është e stërmadhe ashtu si portreti i Ramës, është laramane, pa ngjyrë, pa shije ashtu si veshja e Ramës, është pa asnjë kuptim dhe ekstravagante, megallomane dhe mediokre ashtu si ligjërimi i Ramës. Pra, në të gjitha rastet, ata gazetarë, më shumë se askush tjetër paraqesin modelin që Rama si kryeministër i ka imponuar shoqërisë shqiptare në fushën e mediave.

Media në Shqipëri është bërë një biznes i jashtëzakonshëm për disa të ashtuquajtur show-menë që e kanë mbushur televizionin me banalitetet më të shënmtuara të të gjitha kohërave dhe një mjerim për shumë të tjerë që nuk arrijnë të sigurojnë pagat për punonjësit e tyre. Në të gjithë botën media publike shërben si model për të krijuar standardet e një shoqërie normale që median e sheh si një institucion të rëndësishmë të informimit dhe të edukimit gjithashtu.

Sot, gjithnjë e më shumë, në shkencat e komunikimit pranohet se media formon dhe krijon publikun, e orienton atë me shijet e duhura dhe i tregon gjithnjë modelin. Vini re rrotull nesh se çfarë peshe ka media publike dhe do të bindeni se krimi që ka bërë Sali Berisha, Nano dhe tani në fund Edi Rama me Radiotelevizionin publik shqiptar është me përmasa të tilla që dëshmon se ky vend nuk është drejtuar nga burra shteti por nga klounë që të vetmen ego kanë paraqitjen e tyre gjithë ditën në ekran dhe nuk duan, nuk dinë dhe nuk kanë as dëshirën minimale për të mësuar se shkatërrimi i medies publike është shkatërrim i modelit të jetës në një vend. Shqiptarët bombardohen nga mëngjesi në darkë me lajme nga Kuvendi, nga Policia, nga gjykatat dhe nga prokuroria.

Në mbrëmje nisin gjyqet politike nëpër tolk-show që janë kthyer në seanca të llahtarshme me insinuata krimesh e detektivësh, ku të gjithë shfaqen gjyqtarë, prokurorë e Sherlok Holmsa. Vjen e diela dhe për t’u zbavitur shqiptarët duhet të shohin se si këndon fjalët me zë të hollë Ardit Gjebrea dhe tani në fund duhet të shohin edhe se si ushqehet mbi barkun e balerinave Arditi i gjorë. Ndërsa « Portokallia » apo « Ballkan Pazar » e Agron Llakajt janë shumë pak për të pastruar llumin e zi që ndërton media gjatë gjithë javës.

Në gjithë këtë sfidë, RTSH-ja është jashtë loje dhe megjithëse merr një miliard e më shumë lekë lekë nga buxheti i shtetit, ajo vijon të gjëllijë si një gërmadhë duke të sjellë zorrët në grykë me lajmërimet për kanale pa fund që po hap në HD, por që kanë vetëm këngëtarë, filma të komunizmit dhe dokumentarë të realizmit socialist që përsëriten në çdo orë. Biznesmenët e mëdhenj të këtij vendi nxisin jetën tallava dhe shpëlarjen e trurit të shqiptarëve dhe nuk mund të financojnë për kulturën.

Ministria e Kulturës qyshse në krye të saj ka ardhur një grua që e nisi karrierën duke vendosur pllakën e Sulltan Sulejmanit në Kalanë e Lëzhës dhe po e vazhdon duke ndërtuar restorante me paidhaqe në Butrint, është bërë më keq se RTSH-ja, një gërmadhë që tani në fund merr ca inisiativa që të kujtojnë ato veprimtaritë e shtëpive të pionierit të kohës së komunizmit si bie fjala « të duam librin », « të vishemi bukur », « të pastrojmë vendin e punës », « të mbajmë pastër veglat e punës » , etj. Kam shumë argumente për të vertetuar këto që sapo shkruajta, por do të doja të përmendja vetëm këtë.

Në çdo vend të botës ligjërimi publik përbehet nga leximi i së shkuarës, vështrimi në të tashmen dhe projektimi në të ardhmen. Mediet janë bërë mjeti i fuqishëm dhe të pakonkurueshme për të shpërfaqur këtë ligjërim. E shkuara zakonisht lexohet përmes filmave apo dokumentarëve që ndërtohen me atë temë, por edhe bisedave. Ne kemi kaluar periudha të tëra të vështira, por edhe me shumë kolorit historik që askush nuk i tregon më.

E kemi fshirë socializmin apo diktaturën që kaluam dhe askush nuk di të na tregojë se çfarë ishte ai sistem, çfarë bëmë mirë dhe çfarë bëmë keq. Janë periudha të tëra që janë treguar keq prej historiografisë së ideologjizuar, por askush nuk kujtohet të bëjë tema të debatit, të serialeve filmike këto ngjarje.

Më në fund dua të përmend një shembull. Para disa kohësh u ribotuan “Statutet e Shkodrës” nga Lucia Nadin, një dokument brilant që tregon se si qeverisej Shkodra në shekullin XIV dhe çfarë shkëlqimi europian kishte ai qytet.

I vetmi stacion që nuk u mor me këtë ngjarje të madhe ishte RTSH-ja. Në të gjithë botën, media publike e ka detyrim të bëjë trajnime, specializme, të ushqejë me dije gazetarët dhe të jetë në këtë pikë një model për përgatitjen profesionale të tyre. Mirëpo, ajo është pjellë e Edi Ramës që ashtu si Sali Berisha e Faos Nano zgjodhën që ato miliarda lekë e ato miliona euro që do të përdoren për dixhitalizmin e saj të jenë në duar të besuara miqsh e shokësh.

RTSH-ja, me qenëse po flasim për gazetarët që Edi Rama thotë se i ka si bijtë e bijat e tij, i duhet atij që të vijojë si një gërmadhë ku njerëzit e dehur nga mediat private dhe nga hashashi informativ që marrin si ushqim të gjejnë ndonjë rrëzë dhe të lirohen nga ujërat e tepërta.

Sali Berisha do të mbahet mend se nuk lejoi deri në fund privatizmin e mediave televizive, Nano për aq pak kohë sa u mor me RTSH-në do të mbahet mend se vuri në krye të saj një personazh që la gjurmë si klient i prokurorisë, ndërsa Rama do të kujtohet si njeriu që i dha shkelmin e fundit këtij institucioni duke promovuar aty mërzitjen, mediokritetin dhe tenderin e madh të dixhitalizmit.

Pas kësaj ai ka të drejtë të sillet me gazetarët ashtu, sepse një gjë është e sigurtë, që ai do të mbahet mend në këtë pikë si kryeministri që shkatërroi të gjithë medien në mënyrë që të plotësonte subkoshiencën e ndrydhur të gazetarit gjysmak, të artistit gjysmak dhe të pronarit gjysmak.

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen