Po e than qëllimisht Putini tregun e gazit në Evropë?

Po e than qëllimisht Putini tregun e gazit në Evropë?

Presidenti rus Vladimir Putin

Në fillim dukej si një fushatë publicitare. "Ata që në Evropë ishin dakord të lidhnin me ne marrëveshje afatgjata, mund të fërkojnë duart tani dhe të brohorasin", u shpreh presidenti Putin. "Ata që me ne nënshkruan marrëveshje afatgjata mund të shijojnë tani çmimet", përsëriti gati fjalë për fjalë zëvendesdrejtuesja e Gazpromit, Elena Burmistrova.

Moska u bie daulleve për marrëveshje afatgjata

Prej javësh Moska po dërgon një sinjal pa ekuivoke në drejtim të Evropës. Lidhni marrëveshje afatgjata me Gazpromin, pra Rusinë, për furnizimet me gaz, dhe nuk keni pse të shqetësoheni për gaz apo ngrohje. Kjo para një krize të pashembullt në tregun e gazit në Europë. Muajt e fundit çmimi është shumëfishuar, në fillim të tetorit madje çmimi i gazit arriti dhjetëfishin e çmimit mesatar të vitit 2020. Ekspertë të ndryshëm të politikës, mediat, politikanët në perëndim kanë dyshimin, se Gazprom e ka ashpërsuar me qëllim mungesën e energjisë në Evropë, për të rritur presionin ndaj Gjermanisë dhe BE-së me qëllim që të marrë një leje më të shpejtë për gazsjellësin Nord Stream 2, madje për të dyja drejtimet, gjë që ka nevojë që BE të bëjë përjashtime në ligjet e saj. Për këtë Putini u ra daulleve fort edhe në hapjen e Javës Energjetike në Rusi( 13.10.)

Sidomos pas kësaj daljeje publike të Putinit të forcohet përshtypja, se Moska po ndjek një qëllim të dytë strategjik.Për këtë të flet edhe këmbëngulja e vazhdueshme me të cilën përfaqësues të lartë rusë, media zyrtare ruse apo multiplikatorë jo zyrtarë në mediat sociale lëvdojnë praktikën e dikurshme të marrëveshjeve afatgjata të furnizimit. Kështu vendet e BE do të largoheshin nga praktia e tregtisë në bursa me gazin.

Kritika e Putinit ndaj Komisionit Europian

Tonin dhe drejtimin e ka përcaktuar Putini, që asnjëherë nuk ka bërë përpjekje ta fshehë, se politikën e Gazpromit e bën ai. "Ishin ata të 'mençurit' nga mandati i mëparshëm i Komisionit Evropian që e lidhën çmimin e gazit me tregun, dhe ja ku e kemi tani rezultatin", ironizoi Putiin në një konferencë shtypi që në shtator. Një muaj më vonë, kur çmimi kishte arritur gati 2000 dollarë, kreu i Kremlinit e përsëriti kritikën. "Në të vërtetë ishin ekspertët nga Komisioni i mëparshëm Europian, sidomos ekspertët britanikë, që bënë propozimin ta tregtonin gazin në bursë, e lançuan këtë ide dhe e zbatuan". Sipas Putinit, tani pas Brexitit faturën e paguajnë konsumatorët në Europën kontinentale. Të njëjtën kritikë e përsëriti ambasadori rus në BE, Vladimir Tshishov në një intervistë për "Financial Times". Marrëveshjet afatgjata me Rusinë, sipas diplomatit, garantojnë siguri furnizimi, sasi të stabilizuara të gazit dhe çmimet, "por erdhi Brukseli me idenë që të ndryshojë sistemin". Sipas Tshishov ne e dimë që "rregullat e tregut në disa situata janë të vlefshme, por për situata të tjera tërësisht të pavlefshme."

Pse ky kolaps në tregjet e gazit?

Por shtrohet pyetja, pse tregtia me gazin në bursë, kaq shumë e kritikuar nga Moska, funksionoi kaq vite pa probleme, dhe pikërisht këtë verë ekuilibri u prish e në shtator në tetor praktikisht pësoi kolaps. Mungesa akute e gazit në Europë ka disa arsye, ky është mendimi i njëzëshëm i ekspertëve. Ndër të tjera përmendet mosmbushja sa duhet e rezervave të gazit pas dimrit të ftohtë 2020/2021, furnizimi me preferencë i Azisë me gaz, ku paguhen çmime më të larta, një konsum më i madh i gazit për prodhimin e rrymës elektrike për shkak të mungesës së erës për muaj me radhë dhe punime të zgjatura riparimi në gazsjellësit norvegjezë.

Por pse atëherë në këtë situatë Rusia nuk i ka dalë zot përgjegjësisë si lidere furnizuese e gazit e BE me rreth 40%? Gazprom mund ta kishte rritur sasinë e furnizimit në tregun europian për shkak të rritjes së kërkesës dhe kështu të fitonte shuma marramendëse,

Gazprom heq dorë nga fitimet shtesë

Ndaj këtij aspekti tërheq vëmendjen eksperti kritik rus i Kremlinit, Mihail Krutichin në një intervistë me gazetën "Novaja Gazeta". "Në vend të përdorë rritjen e çmimeve për të arritur fitime më të mëdha nga shitjet e gazit me çmime të larta, Gazpromi vendosi të ndalë plotësisht tregtinë në tregjet e përditshme elektronike dhe se në tremujorin e katërt dhe vitin e ardhshëm nuk do të ofrojë më sasi shtesë të gazit në tregjet elektronike të gazit.

Krutichin e krahason këtë taktië me metodën - puno sipas rregullores: të gjitha detyrimet nga kontratat e nënshkruara përmbushen, por Europa nuk merr më sasi shtesë të gazit. Ai shikon pas kësaj taktike motive politike. Edhe korrespondenti në Moskë i Frankfurter Allgemeine Zeitung, Friedrich Schmidt është i këtij mendimi. Nën titullin "Dorëheqje e çuditshme nga paratë", ai analizon, se sjellja e Rusisë në krizën e gazit, "i vë para enigmave analistët e ekonomisë": Gazprom përmbush detyrimet kontraktore anfatgjata, por nuk e kap shansin të fitojë më shumë para për të zgjeruar bizneset në tregjet elektronikë. Njohësi i Rusisë është i mendimit, se Gazpromi zbaton urdhërat e Kremlinit.

Goditje ndaj Green Deal të BE

A ka të bëjë mungesa e gazit aktualisht dhe bojkotimi prej Gazpromit i tregut të bursës europiane, me faktin që Kremlini po e përdor këtë moment që të thajë tregun e gazit për të diskredituar BE? A është kjo llogaria e Moskës? Kush e dëgjoi Putinin këtë javë në hapjen e Javës Energjitike, i është bërë e qartë, se njoftimet se Rusia do të rrisë furnizimet me gaz për Europën, janë të përshpejtuara. Putini nuk foli për tregun europian të gazit, por "partnerët tanë". Që do të thotë, për gaz shtesë mund të shpresojnë nënshkruesit e marrëveshjeve afatgjata. Kjo nuk është më fushatë publicitare, kjo duket më shumë si presion. Një sukses Gazpromi mund ta paraqesë që tani: Së fundmi Hungaria nënshkroi një marrëveshje 15 vjeçare me koncernin shtetëror rus. Nëse edhe shtete të tjera të BE rikthehen tek marrëveshjet afatgjata me Gazprom, atëherë kjo do ta çimentonte me vite pozicionin dominues rus në tregun europian të gazit dhe energjisë, dhe konkurrentët e gazit të lëngshëm nuk do të ishin më tërheqës.

Në të njëjtën kohë marrëveshje të tilla afatgjata godasin Green Deal të BE, planin ambicioz të uljes së emetimeve të gazit dhe përpjekjet e BE për mbrojtjen e klimës. Sepse vendet e BE do duhej që deri nga mesi ose fundi i viteve 30-të të importonin sasi të mëdha gazi në BE, kjo kur energjitë e rigjenerueshme do duhej të merrnin hov në këtë dekadë. Por ndoshta Moska do të arrijë pikërisht këtë./ DW

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lui: 16/10/2021 14:55

    Mire t'i behet Europes. Sepse e kerkon vete te jete e varur nga Rusia. Ne vend qe te mbeshtese projekte qe nuk kane lidhje me Rusine, Europa, dhe per cudi vete Gjermania lidh kontrate per ndertimin e gazsjellesit North Stream. Tani Putin ka ne dore Gjermanine, dhe duke pasur ne dore Gjermanine, ka te gjithe Europen.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë