Kapen në Kukës 15 sirianë të cilët po trafikoheshin drejt Kosovës, përmes kufirit të gjelbër në mënyrë të paligjshme, nga katër trafikantë. Policia saktëson se 15 sirianët janë pjesë e grupit prej 21 sirianëve që u larguan nga qendra e strehimit në Babrru, ndërkohë që vijon kërkimi për 6 të tjerët.

Siç raporton policia e qytetit veri-lindor, pas operacionit të koduar “Kaskada’ janë vënë në pranga: Gjerard  Markaj, 35-vjeç, Riza  Hasani, 54-vjeç, Shefqet Velaj, 34-vjeç dhe Zeqir  Bajrami, 27-vjeç, që të katërt banues në Tiranë.

Ata në rrugën e Kombit, në vendin e quajtur "Fushë-Dugagjin", me drejtim lëvizje Tiranë-Kukës,  janë kapur duke transportuar 15 shtetas të huaj, Siranë, me automjetet e tyre,  tip "Volzwagen" me targa AA 517 KS, automjetin tip "Benz", me targa AA 973 GF dhe automjetin tip "Golf", me targa AA 013 AF,  cilët nëpërmjet kufirit të gjelbër do t'i kalonin  për në Kosovë, kundrejt fitimit.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)