Çështja e problemeve me pronat ka nxjerrë para Parlamentit dhjetëra qytetarë për të protestuar.
Të pranishmit mësohet se ishin pjesë të disa komuniteteve, të Rrjollit në Velipojë, të Durrësit (Projekti TID), të Ballshit, të Zall Gjoshajt, të Gurasit të Pogradecit, të Gjoricës dhe të Kurdarisë.
Kjo është protesta e tretë që zhvillohet para Parlamentit, pasi u thirr fillimisht nga banorët e Rrjollit të Velipojës, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e resortit të biznesmenit dhe botuesit Bashkim Ulaj.
Banorët e Rrjollit pretendojnë se Ulaj sëbashku me Fatmir Shpellzajn dhe disa eksponentë të politikës po u grabisin pronat e tyre.
Banorja e Rrjollit, Luçiana Kokaj, është shprehur se kanë dorëzuar në Parlament një seancë dëgjimore për problematikën e Rrjollit.
“Ju jeni aty për të na përfaqësuar ne si ligjvënës. Ne kemi dorëzuar edhe një kërkesë në Parlament, që të ketë një seancë dëgjimore për problematikën e Rrjollit. Deputetët duhet të marrin kohë dhe të na dëgjojnë ne. Nuk duhet të vijnë te ne vetëm kur është koha e votave, por edhe kur ne kemi nevojë”, tha mes të tjerash Luçiana Kokaj.
Ndërkohë një tjetër aktiviste e pranishme në protestë është shprehur se ligji për shpronësimet për interes publik duhet zhbërë.
“Është hera e tretë që mblidhemi për problematikat e pronës. Parlamenti ka në dorë të bëjë apo të zhbëjë ligje. Një nga ligjet më të tmerrshme është ligji për shpronësimin për interes publik. Ky ligj ka disa nene që shpronëson privatin për t’ja dhënë privatit. Ky është një ligj që duhet zhbërë nga ky Parlament. Janë të gjitha çështjet tona me VKM të firmosura nga një figurë, Belinda Balluku. Hajdutë janë të gjithë ata që kanë votuar për këtë VKM. Të gjitha projektet bëhen në mungesë transparence, në një grabitje për ditë me diell. Shteti shqiptar është i shurdhër”, tha aktivistja.
Ndërkohë një banore e Durrësit, e cila kundërshton projektin TID, ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin e ka cilësuar si aktorin kryesor për grabitjen e pronave.
“Unë jam Rita nga Durrësi. Edi Rama që i fillove dhe mbylle gjithë hipotekat, i çove gjyqet në Tiranë, i kopsite dhe vodhe pronat. Je bastard me këtë që po i bën popullit shqiptarë. Të gjithë deputetët e kanë frikë Edi Ramën. Ai është Sulltan Murat. Harroje, popullin e ke kundër. Po i lë njerëzit pa shtëpi”, tha një banore e Durrësit.
Banorja e fshatit Rrjoll të Velipojës, Luçiana Kokaj, është shprehur se në Parlamentin e Shqipërisë bëhen ligje në favor të një grushti njerëzisht dhe jo për interesat e gjithë shqiptarëve.
Komentet Kokaj i bëri në një lidhje për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, teksa ishte e pranishme në protestën e organizuar para Parlamentit nga disa komunitete që kanë probleme me pronat.
Teksa banorët e Rrjollit kundërshtojnë resortin që po ndërtohet nga biznesmeni dhe botuesi Bashkim Ulaj, Kokaj hodhi akuza ndaj tij dhe Fatmir Shpellzajt se kanë falsifikuar dokumentat për të ndërtuar në tokat e tyre.
“Ka 2 muaj që Rrjolli po proteston dhe kërkesat tona kanë rënë në vesh të shurdhër. Në Parlament bëhen ligje vetëm për një grusht njerëzisht dhe jo për interesat e shqiptarëve. Sot jemi mbledhur shumë komunitete të ndryshme që kemi probleme me pronësinë. Nuk po lënë asgjë si pasuri të shqiptarëve pa plaçkitur dhe grabitur. Të gjithë shqiptarëve po tentohet t’u zaptohet prona dhe t’u merret.
Ne si mbështetje kemi pasur Lëvizjen Bashkë, zotin Redi Muça dhe Partinë Mundësia, Erald Kaprin që kanë ngritur zërin për ne dhe shpresojmë që në të ardhmen të kemi më shumë si këta deputetë në Parlament. Ajo që na ka cënuar drejtpërdrejtë ka qenë një fjalim i kryeministrit që tha se ‘banorët e Rrjollit kanë letra të falsifikuara’. Ne e thamë edhe gjatë protestës dhe vazhdojmë ta themi ‘zoti kryeministër nëse ky grup pune është ngritur, të lutem a mund të na vësh në dispozicion vendimmarrjen e tyre, procesin e punës që është bërë’. Sepse vetëm false që nuk mund të jenë dokumenta të ruajtura që nga koha e Zogut aty. False dokumentat i ka personi që ka përvetësuar pronën tonë”, tha mes të tjerash Kokaj.
Kokaj vijoi më tej duke thënë se janë të zhgënjyer me Partinë Demokratike që nuk ka mbajtur asnjë qëndrim për këtë situatë. Ajo zbuloi se deputeti demokrat Isuf Çelaj ka qenë prezent në takimet që banorët e Rrjollit kanë zhvilluar me kompaninë Gener 2 të Bashkim Ulajt më parë.
Sipas Kokajt, të vetmet parti politike që kanë mbështetur protestat e tyre kanë qenë Partia Mundësia e Agron Shehajt dhe Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit.
“Nuk ka pasur asnjë reagim as nga deputetët e opozitës. Qëndrimi i PD-së është për të ardhur keq. Duke qenë partia më e madhe opozitare në Shqipëri, duhet të ishte në mbrojtje të qytetarëve. Dhe kanë marrë goxha vota në fshatin Rrjoll, por kanë heshtur. Interesat e tyre i dinë ata vetë. Unë nuk kam prova faktike veçse të them se një deputet i tyre ka qenë pjesë e Gener 2. Deputeti Isuf Çela ka qenë në takimet tona me Gener 2. Ata duhet të mbajnë një qëndrim, s’mund të fshihen pas gishtit”, përfundoi Kokaj.
Komente












