Nga Burreli, ku vijoi mbledhjen e firmave bashkë me grupin e artistëve për rindërtimin e Teatrit aty ku ishte, sikur ishte, regjisori Robert Budina paralajmëroi një protestë në bulevard para Kryeministrisë.

"Jemi duke u përgatitur për të bërë një marshim madhështor në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, që për herë të parë shqiptari të dalë për të drejtën e tij pa organizim partiak.

Ne tani të jemi të gjithë bashkë, më mbrapa kur të vijnë kushtet normale cdo parti ka mendimin e vet dhe rrugën e vet për të kërkuar pushtetin" tha Robert Budina.

Ndërkohë që Edmond Budina tha se Burreli është në jetën e tij, pasi shumë vite më parë ka bërë 5 muaj zbor.

"Burreli është jetën time, sepse këtu kam bërë 5 muaj zbor në vitin '75 dhe në këtë teatër kam luajtur disa herë. Ne jemi i vetmi vend që nuk kemi një sistem drejtësie, vite të tëra pa gjykatë Kushtetuese, një parlament ilegjitim" tha ai.

Prej disa ditësh Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit është zhvendosur në disa qytete për të mbledhur firma për peticionin që kanë nisur.