Situata e shkaktuar nga temperaturat e larta në Kanada dhe në disa shtete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës vazhdon të jetë tejet shqetësuese. Autoritetet në Kanada dhe në Oregon dhe Uashington bëjnë me dije se mbi 500 persona kanë humbur jetën nga temperaturat përvëluese në ditët e fundit dhe kan gjasa që një situatë e tillë të përkeqësohet në ditët në vijim.
Zyrtarja e British Columbia, Lisa Lapointe shprehet se të dhënat flasin për 486 vdekje në 5 ditët e fundit, në një kohë kur provinca kanadeze për një periudhë kaq të shkurtër kohore, në rastin më të keq ka raportuar 165 fatalitete.
Një rekord i ri u vendos këtë javë në Lytton, ku temperatura arriti në 121 gradë Fahrenheit (49.5 gradë Celsius). Nxehtësia ka gjetur të papërgatitur qytetarët kanadezë, të cilët ishin mësuar të kishin temperatura të ulëta në këtë periudhë.
Ajo që e bën edhe më të vështirë çdo gjë është fakti se shumë shtëpi në Vancouver dhe në Seattle nuk kanë ajër të kondicionuar duke i dhënë një goditje fatale njerëzve të sëmurë.
Në Oregon temperaturat arritën deri në 45 gradë, duke bërë autoritetet lokale të fajësojnë të nxehtin për më shumë se 60 vdekje.
Po ashtu Seattle, Portland dhe shumë qytete të tjera thyen rekordin e temperaturave të larta, ku termometri shënoi mbi 46 gradë celsius.
Ndonëse situata ka qenë e vështirë, ekipet e shpëtimit dhe zjarrfikësit kanë qenë në gatishmëri për të parandaluar ndonjë zjarr të mundshëm që mund të përhapet me shpejtësi. Gjithashtu, janë ngritur dhe stacione që shpërndajnë ujë për kalimtarët që të mos dehidratohen.