SARANDË- Një 45-vjeçar grek është vënë në hetim, pasi tentoi të dalë nga Shqipëria me 45 mijë euro të padeklaruara. Shuma e parave i është gjetur brenda në çantë teksa po udhëtonte drejt Greqisë nga Porti i Sarandës.

“Shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Port Sarandë, gjatë kontrolleve të vazhdueshme që kryejnë me synim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, i kanë gjetur një shtetasi, në çantë, 45 000 euro, të cilat ai po tentonte t’i nxirrte nga Shqipëria, pa i deklaruar.   

Në vijim të veprimeve për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin grek G. V., banues në Greqi”, njoftoi Policia.

Paratë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.