Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) u ka bërë thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm, pasi janë shtuar tentativat e mashtrimit që përdorin emrin dhe identitetin e bankave për të vjedhur të dhënat personale dhe financiare.
Sipas AKSK-së, ditët e fundit janë evidentuar më shumë raste të fushatave të njohura si "phishing" dhe "smishing", ku qytetarëve u dërgohen mesazhe SMS ose email që duken sikur vijnë nga banka që ata përdorin.
Në këto mesazhe përdoren logoja, emri dhe identiteti vizual i institucioneve bankare për t'i bërë ato sa më bindëse. Zakonisht pretendohet se ka pasur aktivitet të pazakontë në llogarinë bankare, se shërbimi është bllokuar ose se klienti duhet të konfirmojë urgjentisht të dhënat e tij.
Qëllimi i këtyre mesazheve është t'i bindin qytetarët të klikojnë në lidhje mashtruese ose të japin informacione konfidenciale, si PIN-in, fjalëkalimet, kodet OTP apo të dhënat e kartës bankare.
Për këtë arsye, AKSK u bën thirrje qytetarëve të mos reagojnë menjëherë ndaj mesazheve që krijojnë ndjesinë e urgjencës dhe të mos ndajnë asnjëherë të dhënat e tyre bankare përmes SMS-ve, email-eve apo telefonatave.
Autoriteti këshillon që çdo komunikim i dyshimtë të verifikohet vetëm përmes kanaleve zyrtare të bankës, ndërsa përpara se të hapet një lidhje, qytetarët duhet të kontrollojnë me kujdes adresën e faqes ku po drejtohen.
Nëse dikush dyshon se ka dhënë të dhëna sensitive, AKSK rekomandon të kontaktojë menjëherë bankën për të marrë masat e nevojshme.
"Siguria e të dhënave financiare fillon me kujdesin ndaj çdo komunikimi të dyshimtë. Përpara se të klikoni ose të ndani informacion, ndaloni dhe verifikoni", apelon Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.










Komente
Komento