TIRANË- Një 31-vjeçar është arrestuar pasi është kapur duke transportuar heroinë me makinën e tij, ndërsa në kërkim është shpallur një bashkëpunëtor i tij. Armando Papa u arrestuar nga uniformat blu teksa transportonte 41 kg e 700 gram heroinë me makinën e tij në drejtim të Rinasit.

Papa është ndaluar nga policia për kontroll në rrethrrotullimin e aeroportit dhe në bagazhin e makinës i është gjetur e fshehur lënda narkotike e ndarë në 62 pako, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin dhe 1 mjet prerës. Papa është banues në Fushë Kuqe të Kurbinit.

Armando Papa ka kyçur gojën para hetuesve gjatë dëshmisë së marrjes në pyetje. I riu nuk ka treguar asgjë mbi bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm dhe as destinacionit për ku ishte nisur për të dërguar lëndën narkotike. Sasia e heroinës së sekuestruar kap vlerën e mbi gjysmë milioni euro në treg, nëse do të ishte shitur.

Burime nga policia bëjnë me dije se origjina e lëndës narkotike dyshohet se ishte nga Turqia. Armando Papa rezulton me precedente të tjera penale në fushën e drogës dhe jo vetëm. Bashkëpunëtori i tij, i shpallur në kërkim me iniciale R.G. me origjinë nga Sukthi ka qenë në një tjetër makinë gjatë momentit të ndërhyrjes për arrestimin dhe ka mundur të largohet.

Policia po punon për lokalizimin dhe arrestimin e tij. Grupi hetimor dyshon se heroina ishte gati për tu shitur në treg, kryesisht në Tiranë, pasi kohët e fundit në kryeqytet është shtuar ndjeshëm përdorimi i heroinës.

Heroina e sekuestruar

 

Armando Papa