POGRADEC- Pesë persona kanë rënë në prangat e efektivëve, pasi u konstatuan duke transportuar emigrantë të paligjshëm kundrejt pagesës.
Në kuadër të operacioni të quajtur "Perimetri", janë goditur ditën e sotme dy raste të ndryshme të dhënies së ndihmës për të kaluar kufirin. Burime zyrtare për Report Tv bëjnë me dije se janë arrestuar Muharrem Gonxhi, 40 vjeç, Sadete Çela, 28 vjeç, Xhoni Rustemi, 23 vjeç. Gonxhi dhe Çela po transportonin 3 emigrantë të paligjshëm, me anë të një mjeti tip "Benz", ndërsa u ndaluan në dalje të qytetit të Pogradecit. I përfshirë në këtë ngjarje, sipas njoftimit zyrtar rezulton edhe Xhoni Rustemi, teksa iu kishin premtuar emigrantëve kalimin drejt vendeve të BE-së.
Ndërkohë në pranga kanë rënë edhe Eduart Lala, 37 vjeç dhe Ermira Gozhdari, 30 vjeçe, banues në Tiranë. Të dy u ndaluan në dalje të Pogradecit me 2 emigrantë teksa 30-vjeçari drejtonte një mjet tip "Volkswagen".
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve" kryer në bashkëpunim.