Vlorë- Një 24 vjeçar është arrestuar në flagrancë në aksin rrugor Sarandë-Qeparo teksa po transportonte 5 emigrantë iranianë që të kalonin ilegalisht kufirin me Malin e Zi.
Në pranga u vendosën edhe 2 vëllezër, të cilët lëviznin me automjet tjetër, përpara makinës ku ishin emigrantët, për të shmangur Policinë.
"Gjatë operacionit, si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme i DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë, arrestuan shtetasit B. P., 24 vjeç, banues në Krujë, A. B., 29 vjeç dhe A. B., 24 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Shtetasi B. P. u kap në flagrancë, në aksin rrugor “Sarandë-Qeparo”, duke transportuar 5 emigrantë iranianë që synonin të kalonin ilegalisht kufirin me Malin e Zi. Shtetasit A. B. dhe A. B. (vëllezër) u kapën duke lëvizur me automjet tjetër, përpara automjetit që drejtonte shtetasi B. P., për të shmangur kontrollet e Policisë", informoi sot policia.
Uniformat blu kanë sekuestruar të dyja automjetet, si dhe 6 celularë.
Operacioni u kodua 'Border'.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.