Një 50-vjeçar është arrestuar nga policia e Gjirokastrës për transport mallrash kontrabandë.
50-vjeçari u ndalua në aksin rrugor Kakavije-Gjirokastër, ndërsa brenda furgonit me të cilin po udhëtonte u gjetën dhe u sekuestruan mallra të ndryshme ushqimore dhe industriale, medikamente mjekësore dhe një sasi nafte, pa dokumentacionin përkatës.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi F. G. i kishte kaluar këto mallra nëpërmjet Pikës Doganore Kakavije, pa kryer veprimet përkatëse. Në vijim të veprimeve u arrestua edhe shtetasi Th. K., me detyrë doganier në këtë pikë doganore, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke favorizuar shtetasin F. G., për të kaluar mallrat, pa kryer veprimet doganore.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, mallrat e kontrabanduara, 3 350 euro dhe 3 aparate celulare.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale "Kontrabanda me mallra për të cilët akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës", "Kontrabanda me mallra të tjera" dhe "Shpërdorim i detyrës".