Një aksident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin Lushnjë–Berat, pranë fshatit Kashtbardhë, ku një automjet tip “Ford” ka përfunduar në kanalin anësor të rrugës.

Në makinë, e cila ishte marrë me qira, udhëtonin tre motra dhe një foshnjë rreth dy muajshe. Njëra prej pasagjereve është plagosur lehtë dhe është transportuar në spitalin e Lushnjës së bashku me foshnjën për kontroll mjekësor. Tre motrat, emigrante në Angli, po udhëtonin drejt Beratit kur drejtuesja e automjetit nuk ka arritur të marrë kthesën dhe ka dalë nga rruga. Makina ka përfunduar në një kanal që në momentin e aksidentit nuk kishte ujë.

Dyshohet se mungesa e ndriçimit në këtë segment rrugor mund të ketë ndikuar në aksident, pasi drejtuesja nuk ka dalluar kthesën dhe ka vijuar drejt. Automjeti ka pësuar dëme materiale, ndërsa shpejtësia brenda normave të lejuara ka ndikuar që pasojat të mos jenë më të rënda.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për dokumentimin e aksidentit.