Një 42-vjeçar është arrestuar në Aeroportin e Rinasit, pasi në bagazhin e tij u gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, teksa po udhëtonte drejt Mbretërisë së Bashkuar së bashku me bashkëshorten dhe katër fëmijët e tyre të mitur.

Në pranga ra Sokol Krasniqi, shtetas shqiptar me nënshtetësi britanike. Sipas Policisë Kufitare, arma u zbulua gjatë kontrollit me skaner në dalje nga Shqipëria. Pistoleta kishte një fishek në fole, ndërsa në karikator u gjetën edhe gjashtë fishekë.

Krasniqi është me origjinë nga Kosova por familja e tij ishte shpërngulur në Kukës që prej viteve ’90, ndërsa familja e tij ishte shpërngulur në Kukës që prej viteve '90. Prej disa vitesh ai jetonte në Mbretërinë e Bashkuar.

Pas arrestimit, 42-vjeçari deklaroi se gjatë pushimeve kishte qëndruar në zonën e Tropojës, ku, sipas tij, kishte bërë qitje me disa shokë. Ai pretendoi se pistoletën dhe karikatorin i kishte harruar në çantë dhe nuk e kishte kuptuar se po udhëtonte me armën e zjarrit.

Njoftimi i plotë i Policisë

"Intensifikimi i kontrolleve nga Policia Kufitare godet një rast të tentativës për të trafikuar armë zjarri nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar. Sekuestrohet 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak.

Arrestohet në flagrancë poseduesi i saj. Si rezultat i kontrolleve të dedikuara, bazuar në analizën e riskut dhe në informacionet e inteligjencës policore, të intensifikuara për shkak të fluksit në hyrje/dalje, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Rinas, në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë në aeroportin e Rinasit, goditën një rast të tentativës për të trafikuar armë zjarri nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar.  Për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi shqiptar (me nënshtetësi britanike) S. K., 42 vjeç, banues në Angli.    

Nga kontrolli nëpërmjet skanerit, në bagazhet e këtij shtetasi, në dalje të Shqipërisë, u gjet 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.   Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”." 

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë