Pobrati: Visha? Ujku qimen e
ndërron por zakonin s'e harron

Në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com", njëri ndër ekspertët më të mirë të shërbimit inteligjent shqiptar, Luan Pobrati, pavarësisht se çfarë është diskutuar në media në lidhje me mënyrën e zgjedhjes së kreut të ri të Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika është shprehur se "ujku qimen e ndërron, por zakonin nuk e harron". Deklaratë përmes të cilës, pavarësisht asaj çfarë tha ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu, shpreh njëfarë mungese garancie në lidhje me rolin e SHISH, tashmë që drejtues i tij është ish-zëvendësi i Bashkim Gazideses. Duke folur për shtetësinë kanadeze të kreut aktual të SHISH, Pobrati thotë se është e rëndësishme që në këto institucione të larta dhe që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare të jenë njerëz me garanci, apo patriotë siç e thotë ai më thjeshtë. Ai thotë, se shqiptarët njohin Sali Berishën dhe në këtë emërim të Visho Likës, pavarësisht se duhet të shpresohet për një punë të mirë, duhet të punojnë të gjithë shqiptarët që të mos lejojnë më të keqen.

Zoti Pobrati! Në krye të SHISH, tashmë është vendosur Visho Ajazi Lika. Do të donim të dinim nga ju, si e komentoni këtë lëvizje të bërë menjëherë pas zgjedhjes së kreut të ri të shtetit?
Kam ndjekur me vëmendje reagimet mbi eëmrimin e Visho Ajazi Likës në krye të institucionit të SHISH dhe, pavarësisht se unë i përkas pjesës që në tërësi bashkohet me shqetësimet e paraqitura në shtyp për këtë lëvizje të paramenduar, zotërisë i uroj punë të mbarë në instuticionin që ai tanimë drejton. Me dëshirën për të mos u rikthyer bashkë me të në SHISH edhe ato çudira që kemi përjetuar në kohën e Gazidedes, shefit të dikurshëm e të afeksionuar të zotit Visho, i cili përmes dëshmisë publike të bërë në Parlamentin shqiptar në pranverë të 1997-tës, tentoi të kërcënonte e t'u imponohej opozitarëve të dalë në revoltë kundër Berishës dhe pushtetit të tij, se gjoja këta, ishin të nxitur nga CIA dhe SHBA!

Por ambasadori amerikan vlerësoi se nuk duhet të shikohet më prapa, pasi shërbimi inteligjent ka ndryshuar krahasuar me SHIK-un e Gazidesës të viteve '90-të...?
Janë ngjarjet e hidhura të së shkuarës, qofshin këto edhe të kohës së afërt, që na bëjnë të jemi sy hapur, na ndihmojnë të kuptojmë lakimin që ambasadori amerikan i bëri 'qarkullimit të kuadrit!'. Sidoqoftë, Zoti Arvizu cilësoi se, 'jemi në kohë të tjera', që për mua do të thotë se edhe Berisha po të dojë, nuk mund të imponojë ecjen mbrapsht, të paktën siç e kuptova unë zotin ambasador, ndonëse në këtë rast jam i prirur të mos neglizhoj as thënien e popullit: "ujku qimen e ndërron por zakonin nuk e harron".

Kreu i ri i SHISH, për 12 vite ka qenë azilant politik dhe më pas shtetas kanadez. Mendoni se ky fakt përbën problem për një drejtues të Shërbimit Inteligjent?
Duke marrë në konsideratë specifikën dhe rëndësinë që ka një detyrë e lartë në një institucion të tillë, nuk duhet të ishte ndryshe. Por në mes 'neglizhencave' dhe mangësive që ka shteti ynë, ndodh edhe kjo, e cila është vetëm njëra anë e çështjes. Ndërsa tjetra, ndihmon të kuptosh më në brendësi problemin.
Detyrat delikate që lidhen me sigurinë e vendit, veçanërisht kur flasim për kuadro drejtues të shërbimeve inteligjente, kërkojnë së pari garanci. Që do të thotë pastërti, që e shpjeguar me të folurën e popullit njihet si patriotizëm, i cili shpesh, mban brenda pengesa për të bërë çka do të dojë.
Duket si moral i hedhur në truall bosh çfarë themi, por vendet me një demokraci shumë më të zhvilluar se e jona, na e mësojnë këtë. Kështu kanë bërë e thënë edhe Rilindasit tanë, pavarësisht si sillen dhe çfarë ndodh me pushtetarët tanë sot.

Ju në kohën e Gazidetes keni bërë oponecë të hapur me SHIK-un. Si e parashihni situatën tani, që një ish-zëvendës i tij, bëhet kryetar i SHISH?
Unë nuk e njoh Visho Ajazi Likën dhe s'kam pse paragjykoj, plus dëshirës për të mos folur keq. Por shqiptarët njohin mirë Sali Berishën dhe për këtë zgjedhje të tij, duke marrë parasysh gjithë çfarë ka evidencuar shtypi si probleme në emrim, ndihem i preokupuar edhe unë për të mos ndodhur çfarë s'do të donim. Gjithësesi, lë të shpresojmë. Në të kundërt, të punojmë që të mos lejojmë të keqen.
Intervista u botua ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këto janë pemët më të veçanta në mbarë botën për festat e fundvitit

Këto janë pemët më të veçanta në mbarë botën për festat e fundvitit