Një pajisje e vogël me gaz shpërtheu në shtëpinë e çiftit të moshuar Mukaj paraditen e kësaj të enjte. Bombola ishte vendosur në pjesën e jashtme të ballkonit të banesës, në zonën e quajtur ‘Valuta’ në qendër të Pogradecit.

Në banesë jetojnë dy të moshuar, por fatmirësisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Gruaja rrëfeu se do bënte kafe por nuk e dinte që bashkëshorti e kishte rregulluar pajisjen dhe i kishte futur bombol pasi një ditë më parë kishte probleme dhe nuk hapej.

“Do bëja kafe. Unë po hapja bombulën e kafes por ishte e bllokuar. I rashë me një pincë por nuk e dija se ishte bombola e vogël brenda. Kur e kisha rregulluar burri një ditë më parë, i kishte futur bombulën brenda por nuk e dija. Ajo hapi flakë, nuk dija çfarë të bëja. Më mori flokët, m’u dogj divani”.

Me dëshpërim e moshuara, Salushe Mukaj tregon se të dy janë me probleme shëndetësore, ndërsa u mungon përkujdesja pasi fëmijët i kanë në emigrim.

“Fëmijët na kanë lënë, nuk na flasin me gojë, janë në Selanik. Jemi nga 90 vjeç. Isha në spital unë, më djeg pak koka. Sa e fuqishme ishte, si e hapi flakën ajo ashtu. Ka djegur vetëm një divan e një perde. Bombola e madhe ishte ndezur, mirë që nuk u dogj dhe ajo, na dashka Zoti”, tha e moshuara.

Siç shihet në pamje, shpërthimi i gazit ka dëmtuar orenditë në shtëpinë e çiftit të moshuar në Pogradec, të cilët janë të vetëm përballë kësaj situate të vështirë...